image Prokurori Armend Hamiti: “Shaban Kilaj, diçka emër po më doket si emër diçka, nuk e di pa e pa” - AUDIO

Drejtësi

Prokurori Armend Hamiti: “Shaban Kilaj, diçka emër po më doket si emër diçka, nuk e di pa e pa” – AUDIO

news image

Dy ditë më parë, mediumi online “Paparaci” publikoi artikullin me titull “Kokë më kokë me kriminelin – lidhjet e prokurorit Armend Hamiti me Shaban Kilajn”. Hamitit, i cili është prokuror i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe njëkohësisht kandidat për kryeprokuror të Shtetit, iu publikuan edhe dy fotografi, të cilat pretendohet se janë realizuar në një nga lokalet në Prishtinë, e ku ai shihet me personin e njohur në publik si Shaban Kilaj, i cili dyshohet se ka të kaluar kriminale.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me prokurorin Armend Hamiti dhe personin në fotografi Shaban Kilajn për t’i pyetur se cili është relacioni mes tyre dhe si i komentojnë fotot e publikuara.

Prokurori Armend Hamiti, në bisedën me gazetaren e Sinjalit, në mes tjerash deklaroi se është jashtë vendit në një trajnim dhe mohoi ta ketë lexuar artikullin ku përmendet emri i tij dhe njohja e tij me Kilajn.

“Po urno se jom në një takim jashtë vendit. Ëhë, nuk e di pa e pa, kur te shikoj. Nuk e di për besë pa e pa se çka je t’u më pyet”, thotë fillimisht Hamiti.

Meqë prokurori Hamiti deklaroi se nuk i ka lexuar raportimet lidhur me të, ai u pyet nëse e njeh se kush është Shaban Kilaj.

Përgjigja e tij ishte se: “Shaban Kilaj, diçka emër po më doket si emër diçka, nuk e di pa e pa”.

Ndërsa për të kaluarën e Kilajt, Prokurori Hamiti tha se nuk ka informacione. “Duhet me i shiku nihere se çka është. Nuk e di pa e ditë saktë a ka të kaluar kriminale, a s’ka. Nuk e kom atë informatë se a ka qenë i dënuar.”

Raportimet lidhur me relacionin e tij me Kilajn, si i dyshuar me të kaluar kriminale, ai tha se mund të jenë të porositura.

“Mundet me konë të porosita prej dikujt, për naj dëmtim, s’pe di. Nuk jom i sigurt se çka kanë shkru a çka është puna. Kur t’i di krejt informatat jom i hapur për përgjigje.”

Por, pavarësisht se cila është e vërteta rreth shoqërimit të tij me Kilajn, prokurori Hamiti u pyet se a ka të drejtë një prokuror të shoqërohet me persona me të kaluar kriminale. Lidhur me këtë, ai u shpreh se i duhen të gjitha informacionet për ta dhënë një përgjigje, derisa shtoi se me personat që janë të përfshirë në rastet që i heton, nuk shoqërohet nëpër kafeteri.

“Duhet me i pasë krejt infot, pa i pas këto përgjigje…Si emër po më kujtohet. Kemi punë me palë çdo ditë. Naj person që është i dëmtuar ose i dyshuar, që jam duke e hetu nuk dal në kafe”, ishte përgjigja e Hamitit.

Përkundër kësaj, Hamiti tha se nuk mund të jap menjëherë një përgjigje konkrete për relacionin e tij me Shaban Kilajn, pa e lexuar artikullin e publikuar, duke shtuar se raportimet ku përmendet emri i tij, në këtë periudhë si kandidat për kryeprokuror, mund të jenë lojëra të fëlliqura.

“Kjo është kohë, a din munen me bo tulifar lojna tflliqta. Unë s’kom rast me këtë person. Pa e pa saktë çka është puna. S’po di”, tha ai.

Për t’ia mundësuar që ta lexojë artikullin dhe të jap një përgjigje, Gazeta Sinjali ka pritur Hamitin dje deri në orën 15:00, kur edhe tha se do të përfundonte konferenca ku po merrte pjesë, por i njëjti më nuk është përgjigjur as në mesazhet e as në thirrjet e Sinjalit.

Armend Hamiti

Gazeta Sinjali ka pritur edhe sot të marrë një përgjigje nga prokurori Hamiti, por ai fillimisht ka qenë i paqasshëm dhe më pas nuk është përgjigjur.

Por çfarë deklaroi Shaban Kilaj për raportin e tij me prokurorin Armend Hamiti?

Përveç Hamitit, Sinjali ka kontaktuar dje edhe me Shaban Kilajn, për ta pyetur lidhur raportin e tij me prokurorin.

Shaban Kilaj

Kilaj nuk është përgjigjur në asnjë thirrje të Sinjalit, por ka kthyer një përgjigje me shkrim ku u shpreh se nuk ka çfarë të deklarojë. “Nuk kam qka jap, nuk është asgjë e jashtëzakonshme”.

Sinjali ka insistuar të marrë një përgjigje nga Kilaj se “çka nuk është e jashtëzakonshme”, por ai deklaroi se “deri nesër nuk mundem me ju përgjigj”.

Ndërsa sot, kur u kontaktua sërish, në një përgjigje me shkrim, ai shkurtimisht tha se “po presim risi tjera dhe mandej ju përgjigjem”.

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar pas shkrimit të publikuar ku flitet për relacionin e prokurorit Hamiti dhe Shaban Kilajt. KPK ka njoftuar se është duke analizuar përmbajtjen e shkrimit që e atakon prokurorin Hamiti.

“Pas shkrimit të publikuar në mediumin “Paparaci.com”, me titull “Kokë me më kokë me ‘kriminelin’—lidhjet e prokurorit Armend Hamiti me Shaban Kilaj”, Këshilli Prokurorial i Kosovës, njofton opinionin publik se është duke e analizuar përmbajtjen e shkrimit që atakon prokurorin në fjalë”, thuhet në njoftim.

KPK njoftoi se lidhur me këtë rast, do të veprojë në bazë të kompetencave të përcaktuara me ligj.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës pret që autoriteti kompetent të ndërmarrë veprime në përputhje me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore për Prokurorë dhe Gjyqtarë dhe nëse ka shkelje eventuale ligjore, KPK-ja do të veprojë në bazë të kompetencave të përcaktuara me ligj”, thuhet në sqarimin e KPK-së.

Ndryshe, sot zhvillohet procesi i intervistimit të kandidatëve për kryeprokuror të Shtetit.

Prokurorët që kanë aplikuar për pozitën e kryeprokurorit janë: Armend Hamiti, Blerim Isufaj, Kujtim Munishi, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu.

/Gazeta Sinjali/