Në seancën e Kuvendit të Kosovës, po shqyrtohen pikat e mbetura nga seancat e kaluara, ku ndër të tjera ishte dhe votimi në lexim të dytë i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, raporton Gazeta Sinjali.
Kuvendi ka mbetur te votimi i amandamentit të propozuar nga ish deputeti u Vetëvendosjes, Visar Korenica, që nuk kaloi për shkak të kuorumit.
Ky amandament nuk e ka pasur përkrahjen e komisionit funksional.
“Vetëm 44 deputetë kanë votuar. Nuk ka kuorum Kuvendi dhe pa u zhbllokuar ky amandament, nuk mund të kalojmë te të tjerat.” – tha kryetari i Kuvendit, Glauk konjufca.
Kujtojmë se Korenica dhe Eman Rrahmani, janë larguar nga VV edhe për shkak të kësaj çështje.
Korenica kishte deklaruar më herët se përmes një amandamenti kanë kërkuar që e drejta riprodhuese t’i takojë çiftit e jo vetëm individit.
“E drejta riprodhuese t’i takojë çiftit që të vendosin lirshëm dhe të marrin përgjegjësinë nëse duan të kenë fëmijë, për numrin, shpeshtinë dhe kohën në të cilën ata duan që të kenë fëmijë, të kenë qasje në informata në komunikim që do t’u mundësojnë atyre që vendimet të jenë të mbështetura me evidencë. Pra jo t’i jepet e drejta individit por të përqendrohet e drejta tek çifti”, kishte thënë Korenica.