image Programet e studimeve universitare në shpërputhje me nevojat e tregut të punës

Arsim

Programet e studimeve universitare në shpërputhje me nevojat e tregut të punës

news image

Shumë të diplomuar e pak profesionistë që i përmbushin nevojat e tregut të punës, ky problem po e përcjell Kosovën, po vlerësojnë ekspertët e arsimit.

Në bazë të një raporti që është publikuar ditë më parë, flitet për mospërputhje të veprimtarive të arsimit të lartë me nevojat e tregut të punës.

Prandaj ekspertët thonë se Qeveria duhet të ketë strategji politike e arsimore si dhe të mos lejohet që të akreditohen programe vetëm për avancime akademike për profesorët.

Dibran Hoxha nga Organizata për Rritjen e Cilësisë (ORCA) për Ekonomia Online tha se ka shpërputhje të madhe ndërmjet aftësive të studentëve që fitohen në universitet me nevojat e tregut të punës.

“Në njëfarë forme është një çoroditje e madhe se askush nuk e din se çka ka nevojë tregu i punës dhe çfarë aftësisht duhet të marrin studentët gjatë studimeve”.

Sipas Hoxhës shumica e drejtimeve në UP janë “çark” i profesorëve për të caktuar orë e norma për të akredituar programe, duke shtuar se më shumë të diplomuar ka në Fakultetin Juridik dhe Ekonomik.

“Shumica e programeve në Universitetin e Prishtinës me që ato paguhen me taksa tona, janë një lloj çarku i ngushtë i profesorëve për të caktuar orë, norma dhe mbi norma mes tyre edhe në këtë mënyrë për me arsyetuar në një far forme, me akredituar programe edhe kur s’ka nevojë tregu i punës. Më shumë të diplomuar ne se kemi nxjerrë këtë statistikë, por sipas të gjitha gjasave duhet të jetë Fakulteti Jurdik, Ekonomik sepse kanë shumë studentë që i pranojnë”, tha Hoxha.

Hoxha thotë se institucionet nuk kanë komunikim ndërmjet vete, prandaj sipas tij, Ministria e Arsimit do të duhej të hartonte politika të arsimit në mënyrë që të ndërlidhej tregu i punës me fushat e studimit.

Nuk ka komunikim mes institucioneve. Po supozojmë nëse Ministria e Arsimit harton politika dhe na thotë që në këto vitet e ardhshme kaq studentë na duhen në këto fusha dhe japim përparësi në këto fusha, atëherë do të ishte një orientim shtetëror i politikave të arsimit dhe ndërlidhjes mes tregut të punës, gjë që e kemi dëgjuar prej shumë qeverive edhe prej kësaj Qeverie. Po Ministria e Arsimit nuk ka politika, rrjedhimisht Agjencia e Akreditimit që e bënë akreditimin e programeve, nuk ka kah me u orientuar për me i akredituar këto programe, nuk ka statistika, nuk bëjnë matje”.

Edhe Rinor Qehaja, drejtori i Institutit Ed-Guard në një intervistë për Ekonomia Online tha se programet universitare nuk akreditohen si reagim ndaj kërkesave të tregut, por si reagim ndaj numrit të bartësve për program.

Është shume evidente dhe kjo dëshmohet nga kushdo, dhe atë pikësëpari nga vet studentët që ajo çfarë u ofrohet nga studimet universitare është në shpërputhje me nevojat e vërteta te tregut të punës, pra, në vendin tonë universitet publike çelin programe jo në shërbim të studentëve, por për akomodim të stafit akademi”.

Qehaja për EO thotë se në këtë mënyrë përfiton vetëm profesori për avancim akademik, prandaj sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet që t’i përkrah kërkesat e tregut.

Është e rëndësishme që universet publike të kthehen në universitete ndërmarrëse, pra, të tejkalojnë, kufizimet në mendësi, burokraci administrative dhe iluzionin e të bërit shkencë e publikime. Nga këto, nuk përfiton studenti, por vetëm profesori për avancim individual akademik. Kur të ndryshoj kjo, dhe të kemi një orientim strategjik ndërmarrës, të nxitur edhe nga Qeveria, atëherë edhe kërkesat e tregut do të plotësohen me më shpejtësi dhe në interes të studentëve”, shkruan EO.

Medain Hashani profesor universitar i Ekonomisë thotë se shteti duhet të ketë strategji në të gjitha aspektet të cilat duhet të jenë konform me tregun e punës.

Secili shtet duhet t’i ketë strategjitë e veta dhe prioritetet e veta shtetërore. Prandaj edhe shteti ynë i Kosovës duhet t’i përcaktoj prioritetet si në aspekt të ekonomisë, arsimit, shëndetësisë dhe të gjitha këto prioritete të cilat bëhen duhet të jenë konform tregut të punës sepse orientimi kryesor i të gjithë të diplomuarave në të ardhmen të kenë një vend të sigurt të punës”.

Hashani tutje tha se Ministria e Financave e Ekonomisë dhe e Arsimit duhet të përcaktojnë prioritetet në bazë të kërkesave në treg të punës.

/GazetaSinjali/