image Profesori amerikan shpjegon tri gjëra me të cilat mund të arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi

Politikë

Profesori amerikan shpjegon tri gjëra me të cilat mund të arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi

news image

Profesori amerikan, Alon Ben Meir me anë të disa shkrimeve në rrjetin social Twitter ka treguar se çfarë duhet të veprohet që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë përpara në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.

Profesori amerikan ka theksuar fuqishëm se për aq kohë sa Kosova dhe Serbia qëndrojnë në pozicionet aktuale, atëherë sipas tij, nuk do të ketë asnjë marrëveshje.

Eksperti i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Alon Ben Meir ka folur edhe për tensionet në veri të Kosovës, për të cilat ka paraparë se duhet të bëhen lëshime nëse dëshirohen që të zgjidhen përfundimisht.

Ai nuk ka treguar se çfarë koncesione duhet bërë, por lëshimet sipas tij duhet të ndodhin.

Të gjitha çështjet konfliktuale që lidhen me pjesën veriore të Kosovës janë të zgjidhshme me kusht që të dyja palët, #Kosova dhe #Serbia, të bëjnë disa lëshime të nevojshme për të arritur një marrëveshje. Por për sa kohë që ata qëndrojnë në pozicionin e tyre aktual, sigurisht që nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje.”, ka shkruar ai në Twitter.

Ai ka folur edhe për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se njohja reciproke duhet të vendoset që nga fillimi i negociatave.

Negociatat mes #Kosovës dhe #Serbisë duhet të fillojnë me mirëkuptimin se në fund të procesit, ata bien dakord për një njohje reciproke. Ky kusht duhet të vendoset që nga fillimi i negociatave. Përndryshe, për mendimin tim, do të jetë përsëri humbje kohe.”, ka shkruar ai.

Ai ka shpjeguar se çfarë lëvizje duhet të bëjnë SHBA-ja dhe BE-ja, e cila do të mund të ndihmonte në arritjen e një marrëveshje.

“Nëse SHBA-ja dhe BE-ja janë të përgatitura të bëjnë presion nga njëra anë dhe të ofrojnë disa nxitje nga ana tjetër, veçanërisht në lidhje me perspektivën e anëtarësimit eventual të Kosovës dhe Serbisë në BE, mund të arrihet një marrëveshje.”, ka shkruar ai ndër të tjera.

Ndërkaq, profesori amerikanë thekson se problemi kryesor është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

Por sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Asociacion një etnik nuk mund të ketë.

Kështu ka deklaruar edhe më parë por edhe para disa ditëve në një intervistë për mediumin “Al Jazeera”, ku kundërshtoi edhe një herë formimin e Asociacionit.

Një nga këto marrëveshjet nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Beogradi veçanërisht insiston në këtë marrëveshje. Në Kosovë ne nuk mund të kemi një asociacion ose çfarëdo institucioni ose organizate të bazuar vetëm në një etni. Sipas propozimit të Ahtisarit për stautsin e Kosovës para 15 viteve, Kosova duhet të ketë një shoqëri dhe institucion të llojit multietnik. Prandaj, një asociacion multietnik nuk më të kalojë testin e Gjykatës tonë Kushtetuese.”, ka thënë Kurti.

Ndryshe tashmë dihet se muaji janar 2023 mund të jetë i ngarkuar për palën kosovare dhe atë serbe.

Dialogu Kosovë-Serbi dhe arritja e një marrëveshje ka angazhuar palën ndërkombëtare që të kryejnë vizita në Kosovë dhe Serbi.

Tre këshilltarët e disa prej liderëve më të fuqishëm në botë, zbarkojnë brenda pak ditësh në Kosovë.

Derek Chollet i Joe Bidenit, Jens Plotner i Olaf Scholz dhe Emmanuel Bonne i Emmanuele Macron, janë tre këshilltarët që do t’i shohim në Kosovë e Serbi këto ditë.

Të njëjtit, do t’i shkojnë në zyrë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe plani franko-gjerman, pritet të jetë kryefjala e këtyre takimeve.

Mbetet të shihet se çfarë të reja do të sjellin takimet e tyre me krerët e shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

/GazetaSinjali/