image Profesorët e "Sami Frashërit" bojkotojnë mësimin/ Flet drejtoresha për Sinjalin: Janë të manipuluar, i larguan nxënësit nga klasat

Arsim

Profesorët e “Sami Frashërit” bojkotojnë mësimin/ Flet drejtoresha për Sinjalin: Janë të manipuluar, i larguan nxënësit nga klasat

news image

Mësimi në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë sot nuk ka nisur siç duhet. Disa klasë të ndërrimit të paradites nuk zhvilluan fare proces mësimor. Krejt kjo për shkak të bojkotimit nga disa profesorë, të cilët dyshohet se i lëshuan nxënësit nga klasat dhe nuk mbajtën fare mësim. Bojkotimi i mësimit po bëhet për shkak të pakënaqësive që këta mësimdhënës kanë me emërimin e drejtoreshës së re të kësaj shkolle, Fahrije Ratkocerit, për të cilën pretendojnë se është emëruar jashtëligjshëm, mëson Gazeta Sinjali.

Për të marrë informacione lidhur me bojkotimin e mësimit dhe pakënaqësitë e këtyre mësimdhënësve, Gazeta Sinjali ka kontaktuar drejtoreshën Ratkoceri.

Drejtoresha e re e gjimnazit Fahrije Ratkoceri, e konfirmoi për Gazetën Sinjali se mësimi është bojkotuar dhe tha se është munduar ta ndalë një gjë të tillë, duke u kërkuar mësimdhënësve që të kthehen nëpër klasë, por që nuk ndodhi.

Sipas saj, mësimdhënësit që e kanë bojkotuar mësimin janë të manipuluar dhe nuk duan drejtor të ri, shkruan Gazeta Sinjali.

Bojkotimi ka ndodh sot me arsyen se nuk duan drejtor në shkollë, që sa kohë janë pa drejtor e duan të vazhdojnë ende. Është e padrejtë kjo çka po veprojnë një pjesë e mësimdhënësve. Ajo pjesë e mësimdhënësve i kanë largu nxënësit nga klasa duke mos e ditë fëmijët se çka po ndodh“.

Është një manipulim i 4 a 5 mësimdhënësve të tjerë, mirëpo unë ju kam kërkuar mësimdhënësve që të shkojnë në orë. Mirëpo nxënësit janë ata që nuk po dinë asgjë dhe në momentin që i kanë qitë jashtë nga ora e parë, në atë kohë të ftoftë, ata kanë dalë pa libra pa çanta. Pastaj, unë i kam marrë brenda ua kam hap derën që t’i marrin çantat“, tha Ratkoceri për Gazetën Sinjali.

Drejtoresha ka paralajmëruar që ky rast do të trajtohet dhe do të merren masa nga drejtoria e arsimit në komunën e Prishtinës.

Janë organet që merren me ta, unë jam kompetent për ta menaxhuar mësimin brenda dhe secili e ka një kontratë që e kanë nënshkruar vet nëse nuk i përmbahen asaj atëherë janë hapat tjerë që i ndërmerr drejtoria e arsimit“, deklaroi ajo.

Gazeta Sinjali ka provuar të kontaktojë edhe me drejtoreshën e DKA-së në Prishtinë, Shpresa Shalës, mirëpo ajo nuk është përgjigjur në telefonatat e redaksisë. /GazetaSinjali/