Tani kur Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të cilat do të mbahen me 6 tetor, profesori universitar, Azem Hajdari, ka bërë një vështrim analitik në lidhje me atë se çfarë çështjesh duhet të adresojnë partitë politike në programet e tyre zgjedhore dhe për mënyrën se si elektorati duhet t’i qaset platformave që ofrojnë partitë në mënyrë që të ketë një orientim të mirë-bazuar para se të përcaktohet për votim.
Po e publikojmë të plotë analizën e Prof. Hajdarit në këtë temë:
Prof.Dr. Azem Hajdari
Janë mbase dy parametra kryesorë që duhet konsideruar kur synohet të votohet një subjekt politik garues në zgjedhje. Ata janë:
- Programi qeverisës, dhe
- Ekipi që përfshihet në listën zgjedhore.
Programi qeverisës që të votohet konsideroj se do duhej ti adresojë interesat më vitale të vendit dhe qytetarëve të tij. Ai do duhej të ketë në fokus sigurinë shtetërore (ruajtjen e tërësisë territoriale të vendit), sundimin e ligjit (organe profesionale e efikase të drejtësisë), zhvillimin ekonomik, arsimimin cilësor, shëndetësinë dhe integrimin e vendit në strukturat ndërkombëtare (sidomos BE-në dhe OKB-në). Natyrisht, nuk është aspak e mjaftueshme që programi qeverisës vetëm ti adresoj këto si çështje fundamentale me të cilat do të merret ai subjekt politik në rast të fitimit të pushtetit. Ai do duhej ti detajojë akterët (ekipin dhe performancen e tij), burimet, mënyrat dhe afatet e përmbushjes së objektivave, të cilat do duhej të jenë konkrete, të qarta dhe të besueshme. Programi qeverisës (nëse ekziston?…) do duhej bërë publik. Ai do duhej publikuar në mjetet e informimit publik dhe në faqet elektronike të subjekteve politike. I njëjti gjithashtu do duhej shpalosur edhe në tubimet elektorale dhe në debatet televizive.
Elementi i dytë kruicial që do duhej konsideruar për tu votuar një subjekt politik është ekipi me të cilin ai garon në zgjedhje. Konsideroj se ekipi garues do duhej të jetë kredibil (pa afera kriminale e të tjera), i besueshëm (performaca e tij e lartë personale, familjare, e punës, në mjedisin jetësor etj.), i pathyeshëm në qëndrime parimore dhe jetike për vendin (mbrojtje të integritetit territorial të vendit,…), i dëshmuar në punën e tij të deritanishme (të maten të arrirat e tij p.sh., në arsim, shëndetësi, shkencë etj.), bashkëpunues në ekip, i dëshmuar në qasjen demokratike të veprimit, nikoqir i mirë i shfrytëzimit të buxhetit shtetëror etj.
Programi dhe ekipi do duhej të përbëjnë një lidhje integrale dhe të pashkëputshme. Ato duhet ti korrespondojnë njëra tjetrës. Një ekip i dobët nuk garanton përmbushjen e një programi të mirë dhe anasjellash.
Më në fund, konsideroj se që qytetari i Kosovës të krijoj besueshmëri në një subjekt politik, ai do duhej të bëj publike listën me emra të ministrave që do të drejtonin ministritë përkatëse. Ajo listë do duhej respektuar me rigorozitet. Kjo për faktin se jo rrallë ka pasur zhgënjim me emërimet në postet ministrore, ku janë vendosur persona joadekuat dhe madje edhe të papërgjegjshëm.
Mbretërion shpresa që në këto zgjedhje (të nivelit qendror) të fitoj subjekti politik që ka programin më të mirë qeverisës, ekipin më të mirë në listën zgjedhore dhe që ofron strukturën më profesionale të ministrave./Sinjali/