Në Serbi ka nisur regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. Ky proces që do të zgjasë deri në fund të muajit tetor nuk është shpresëdhënës për shqiptarët e komunave me shumicë shqiptare. Ata, dyshojnë që administrata e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq do të ndërhyjë në parandalimin e regjistrimit të shqiptarëve.
Zgjim Sherifi i lindur dhe i rritur në Preshevë ende nuk është regjistruar si banor i kësaj komune. E kjo, për shkak se personat përgjegjës ende nuk ia kanë sjellë formularin e regjistrimit në shtëpi.
Anipse e gëzon të drejtën për t’u regjistruar, Sherifi shprehet për Gazetën Sinjali se Serbia do ta diskriminoj përmes pasivizimit të listave.
“Ashtu si në çdo proces tjetër që ka të bëj me shqiptarët ku Serbisë i vjen mundësia të na diskriminoj. Madje, te puna e pasivizimit mendoj se do të jenë edhe më te egër kësaj here, se ata e kanë krijuar këtë procesin e pasivizimit ekskluzivisht për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Serbia nuk e ka lëshuar asnjë rast deri tash për të na diskriminuar, nuk besoj që këtu do lëshoj pe”, tha Sherfi.
Ai dhe bashkëshortja e tij jetojnë dhe veprojnë në Prishtinë tash e 10 vjet. Sherifi thotë se bashkëshorten e tij që është me prejardhje nga Kosova, shteti serb e ka në futur në listën e pasivizimit.
“Një lloj të pasivizimit të adresës e ka bashkëshortja që është nga Kosova, ajo nuk ka të drejtë të marr certifikatë vendbanimi në Preshevë, e as dokumentacion tjetër edhe pse është e martuar me mua”, u shpreh ai.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi thotë se nuk ka vërejtje sa i përket mbarëvajtjes të procesit të regjistrimit të shqiptarëve.
“Për momentin gjithçka është duke shkuar në rregull. Interesimi është i lartë sidomos nga shqiptarët që jetojnë në diasporë por prapë se duhet ta vazhdojmë kampanjën për regjistrim”, tha Arifi për Gazetën Sinjali.
Derisa shton se nuk kanë ende shifra se sa shqiptarë janë regjistruar deri tani po thotë se ato do t’i grumbullojnë në fundjavë.
E këtë vit, formularët janë me ndryshime në dobi të komunitetit shqiptar.
Ragmi Mustafi kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, thotë se në formularë përfshihet edhe rubrika për kombësinë. Formularët janë dygjuhësh dhe të shtypur edhe në gjuhën shqipe.
“Ka instruktor edhe nga komuniteti shqiptar, regjistrues shqiptar madje për vendbanimet e përziera edhe asistent në gjuhën shqipe në rast se regjistruesi është serb”, u shpreh Mustafi.
E procesi i regjistrimit thotë se është duke shkuar në “dinamikën dhe ritmet normale në Preshevë dhe Bujanoc përderisa ka edhe disa mangësi sa i përket Medvegjës”.
Kur jemi te Medvegja, organet shtetërore të Serbisë kishin lënë pa dokumente identifikimi dhe pasivizuan nga listave e votuesve 90 për qind të shqiptarëve të kësaj komune.
E për këtë arsye, Arben Ferati anëtar i Këshillit komunal për marrëdhënie ndërnacionale nuk pret korrektësi nga organet serbe gjatë këtij procesi.
Madje, thotë se administrata e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq do ta “zvogëlojë dhe parandalojë regjistrimin e shqiptarëve”.
“Ne, nuk presim korrektësi nga administrata e Vuçiqit në raport me Medvegjën sepse ata publikisht kanë deklaruar që me mjete burokratike, artificiale do të ndryshohet struktura në pikën në Medvegjë”, tha ai për Gazetën Sinjali.
Derisa shton se interesimi i shqiptarëve për t’u regjistruar është “jashtëzakonisht i madh”.
Sipas tij, me dokumente valide janë mbi 1 mijë persona ndërsa afër 5 mijë banorë janë pjesë e pasivizimit të adresave.
Regjistrimi përgatitet, organizohet dhe realizohet nga Instituti Republikan i Statistikave, përmes 161 komisioneve regjistruese.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës, Bujanocit dhe ata që janë larguar nga vendlindja kanë mundësi të regjistrohen deri më 31 tetor.
Komisionet tashmë janë formuar në të gjitha komunat.
Theksojmë se sipas një vlerësimi nga ekspertë të bashkësisë ndërkombëtare të bërë në vitin 2011-të, Komuna e Bujanocit në vitin e regjistrimit ka pasur 38.300 banorë, e Preshevës 29.600 dhe ajo e Medvegjës 7.442 banorë.