Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast të tillë e ka denoncuar në Polici një grua në Prishtinë, e cila ka kërkuar ndihmë pasi bashkëshorti e largoi nga banesa me forcë.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur pas një konflikti verbal mes çiftit, kur i dyshuari vendosi ta dëbojë gruan dhe djalin e tyre autik nga banesa.
Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur të shkojë te familja e saj, por fatkeqësisht nuk ka gjetur mbështetje.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se viktima e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer gjithë rastin që kishte ndodhur.
Si rezultat, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Dhuna në familje” dhe masën e ndalimit policor.