image Prishtinasi s’pyet për vendim të Gjykatës, vazhdon ta shqetësojë ish bashkëshorten e tij

Siguri

Prishtinasi s’pyet për vendim të Gjykatës, vazhdon ta shqetësojë ish bashkëshorten e tij

news image

Ka shumë raste kur gratë kosovare nuk ‘shpëtojnë’ nga dhuna edhe pse zgjedhin që të shkurorëzohen e të ndajnë rrugët me bashkëshortët e tyre, të cilët u shkaktojnë telashe. Edhe pas ndarjes, shumë nga ta nuk i lënë rehat ish-partneret e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Vendimin e Gjykatës për mos t’iu afruar ish bashkëshortes së tij, nuk e ka respektuar as një burrë në Prishtinë, i cili përfundoi në telashe me organet e rendit, pasi e sulmoi atë.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se i dyshuari dhe viktima janë shkurorëzuar dhe gruaja ishte pajisur me urdhërmbrojtës përmes të cilit 38-vjeçarit i ndalohet t’i afrohet asaj.

Por këtë nuk e ka përfillur fare burri, i cili ka shkuar në afërsi të banesës së viktimës në Ulpianë dhe ka vazhduar ta shqetësojë duke e kapur me dhunë dhe duke i shkaktuar lëndime trupore. Menjëherë pas kryerjes së veprës ai është larguar, ndërsa viktima ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital dhe ka denoncuar rastin në Polici.

Pak ditë pasi ka ndodhur rasti, i dyshuari është arritur që të arrestohet në pikën kufitare në Jarinjë dhe më pas është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar nga hetuesit.

Me urdhër të prokurorit, ndaj 38-vjeçarit është iniciuar rasti ‘Mospërfillje e vendimit të Gjykatës’ dhe i njëjti është ndaluar për 48 orë.

/GazetaSinjali/