Komuna e Prishtinës vazhdon të përballet me numrin më të lartë të rasteve të reja me COVID-19, transmeton Gazeta Sinjali.
Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi ka thënë për Klan Kosova se aktualisht në kryeqytet janë 800 raste aktive me koronavirus.
Ai ka kërkuar rritjen e numrit të testimeve të sëmundjes infektive, në mënyrë që zbulimi i sa më shumë rasteve të reja do ta pengonin përhapjen e mëtejme.
Megjithatë, Gashi ka përjashtuar mundësinë e një mbylljeje totale në Prishtinë, duke thënë se kufizimi i orarit të lëvizjes nuk ka sjellë ndonjë rezultat të madh në të kaluarën.
Ndryshe, nesër ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj do të ketë një takim me kryetarin Shpend Ahmeti për të diskutuar në lidhje me gjendjen aktuale me koronavirus në kryeqytet.
Që nga shpërthimi i epidemisë në muajin mars e deri më tash në Komunën e Prishtinës janë konfirmuar 5 mijë e 860 raste me koronavirus, ndërsa betejën me sëmundjen e rrezikshme e kanë humbur 80 persona. /Gazeta Sinjali/