Çdo katër vjet, qytetarët e Prishtinës dëgjojnë të njëjtin refren: premtime për një qytet më të pastër, më të sigurt, më evropian. Premtime për pastrimin e rrugëve, investimin në infrastrukturë, rikthimin e dinjitetit qytetar. E megjithatë, viti 2025 na gjen më të lodhur, më të zhgënjyer dhe, mbi të gjitha, më të fyer se kurrë.
Shkruan: Besnik R. BERISHA
Në nënkalimet e Prishtinës, ato që dikur ishin menduar si rrugë sigurie për qytetarët, sot nuk guxon të kalosh pa mbuluar hundën dhe pa kthyer kokën tutje. Urina dhe era e rëndë kanë pushtuar çdo hapësirë. Muret janë të njollosura, dyshemetë të lyera nga papastërtitë dhe fryma ndalet nga kundërmimi i rëndë që të pret në çdo hap. Kjo është fytyra e vërtetë e “Prishtinës së ëndrrave”.
Pamjet e siguruara nga Sinjali nga nënkalimi që lidh qytetin me Kalabrinë, afër Termokosit, flasin më shumë sesa fjalët: një toalet i madh qe s’mirëmbahet nga askush.
Ku janë institucionet që paguhen me paratë tona?
Çdo muaj, qytetari paguan taksa për shërbime publike, për mirëmbajtje, për një ambient të jetueshëm. Por çfarë marrim në këmbim? Nënkalime që kundërmojnë si kanalizime të hapura, rrugë të pasigurta ku krimi gjen terren të lehtë dhe një heshtje të turpshme nga ana e pushtetit lokal dhe ndërmarrjeve publike, të cilat në vend që të jenë në shërbim të qytetarëve, janë kthyer në strehë të neglizhencës dhe papërgjegjësisë.
Politikanët na mashtruan përsëri.
Kryetari aktual i Prishtinës, para dhe gjatë fushatës kishte premtuar “Prishtinën e ëndrrave, apo siç e pëlqen ai ta quaj, Prishtinën e përjetimeve” – një qytet të pastruar, të ndriçuar, të sigurt, të jetueshëm. Sot, përballë këtyre pamjeve dhe atyre që shohim çdo ditë, ëndrrat janë kthyer në një makth të gjallë, ku qytetarët janë të detyruar të ecin mes urinë, frikës dhe fyerjes së dinjitetit të tyre.
Një qytet që trajton qytetarët si barrë, e jo si zot të tij.
Në çdo qoshe të Prishtinës sheh shenja të një braktisjeje të dhimbshme: mbeturina të shpërndara, pasiguri në terr, nënkalime të kthyer në tualete publike, parqe të degraduara, transport publik të papërfillshëm. Për çfarë taksash paguajmë? Për çfarë pushteti votojmë?
Nuk është vetëm papastërti – është mungesë respekti.
E drejta për një ambient të pastër, të sigurt dhe të mirëmbajtur nuk është luks, nuk është favor – është minimumi i asaj që qytetari meriton dhe ka të drejtë ta kërkojë. Mosrespektimi i kësaj të drejte është shkelje brutale e kontratës sociale midis qytetarit dhe shtetit të tij.
Sinjali ngre sot zërin për të gjithë ata qytetarë të Prishtinës që kanë zgjedhur të mos heshtin më: Ne nuk e duam një Prishtinë që na mbyt, që na frikëson, që na fyen. Duam një Prishtinë që na respekton. Dhe këtë nuk na e jep askush: këtë duhet ta kërkojmë, ta kërkojmë me zë të lartë.
Sepse qyteti është i yni, jo i atyre që premtuan e harruan.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!