Më 14 dhjetor u bënë 23 vjet nga rasti “Panda”, në Pejë ku u vranë gjashtë fëmijë serbë e që ende nuk dihet se kush është përgjegjës për këtë.
Prindërit e fëmijëve serbë të vrarë në rastin “Panda” në Pejë më 14 dhjetor 1998, kanë paraqitur dëshmi të reja të cilat implikojnë dhe bëjnë përgjegjës strukturat e shtetit serb për vrasjen e fëmijëve të tyre.
Milomir Ristiq dhe Zvonimir Gvozdenoviq, prindër të fëmijëve serbë të vrarë në rastin “Panda” në Pejë gjatë një interviste në televizionin Prva TV, kanë paraqitur fakte të gjatë angazhimit të tyre në zbardhjen e këtij krimi, të cilat çdo ditë e më shumë e lidhin vrasjen e fëmijëve të tyre me shtetin serb.
Gvozdenoviq ka deklaruar se “kudo që kemi shkuar kemi thënë që dimë se çfarë është interesi i shtetit… nëse është kjo… unë mendoj që ky është projekt i shtetit ‘par excellence’ për vrasjen e fëmijëve tanë. Këtë po e them në emër të prindërve”.
Këta prindër kanë treguar për takimet e tyre me krerë shtetërorë të Serbisë, përfshirë edhe me ata të strukturave të sigurisë dhe thonë se janë ndarë të zhgënjyer me ta. Ata kanë kujtuan momentin kur në opinionin publik kishte filluar të dalë e vërteta për këtë rast, i cili për shumë vite i ishte atribuuar padrejtësisht shqiptarëve.
Sipas Ristiq në një emision televiziv, Aleksander Vuçiq kishte deklaruar se nuk ka dëshmi që vrasësit e fëmijëve të tyre në rastin “Panda” janë shqiptarët, por se pas angazhimit të ekspertëve në këtë rast, Serbia do të ballafaqohet me një të vërtet të hidhur.
Prindërit e fëmijëve serb të vrarë në rastin “Panda” kanë kujtuar se si janë takuar edhe me ambasadorin francez në Beograd Gabriell Keller i cili gjatë luftës së Kosovës kishte pasur kontakte me zyrën për marrëdhënie me publikun të UÇK-së. Ambasadori Keller, cili sipas tyre kishte afërsi të madhe me përfaqësuesin e UÇK-se Adem Demaçin, i kishte siguruar familjarët se UÇK nuk ka qëndruar pas rastin “Panda”.
“Kemi marrë përgjigje decidive dhe të qartë se UÇK nuk ka marrë përgjegjësi për këtë rast dhe është distancuar absolutisht për Pandën me asnjë veprim…’’, tha Ristiq.
Ata gjithashtu kanë kujtuar se si kur kishte ndodhur rasti “Panda” ministri i Arsimit nuk kishte marrë pjesë në varrim. Sipas tyre kjo tregon shumë për rastin. /GazetaSinjali/