image Prijësit e listave të deputetëve që janë të dënuar, akuzuar dhe të dyshuar

Kosovë

Prijësit e listave të deputetëve që janë të dënuar, akuzuar dhe të dyshuar

news image

Tre kandidatë për deputetë të Kuvendit Kosovës që në këto zgjedhje do të bartin numrin një në listat e partive politike nuk i kanë pasur aspak punët mirë me ligjet vendore dhe ato ndërkombëtare. Tre kandidatë, dy prej të cilëve po synojnë postin e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës janë përballur me gjykatat vendore apo ato ndërkombëtare, raporton Sinjali

Albin Kurti, lider dhe njëkohësisht kandidat për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje është i dënuar me burgim me kusht nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Si i dyshuar në Gjykatën Speciale është ftuar muaj më parë Ramush Haradinaj, ndërsa Milaim Zeka është duke u përballur me dy aktakuza nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi ishte bërë shkak që Albin Kurti të përdorte armë për t’u dënuar më pas nga Gjykata Themelore e Prishtinës me dënim unik prej 1 vit e gjashtë muaj burgim me kusht.

Në janar të vitit të kaluar gjyqtari Beqir Kalludra kishte shpallur Kurtin fajtor për dy vepra penale. E para kishte të bëjë me përdorimin e armës i cili së bashku me tre deputetët e atëhershëm të VV-së Faton Topallin, Donika Kadaj – Bujupin dhe Albulena Haxhiun kishin gjuajtur gazlotsjellës.

Kurti ishte dënuar edhe për pengim të personit zyrtar në total prej 1 viti e gjashtë muaj burgim me kusht, nëse nuk kryen vepra të tjera për dy vitet e ardhshme.

Por, përderisa gjykimi i Kurtit ka përfunduar, procesi ndaj prijësit të listës së PEK-ut, Milaim Zeka nuk ka përfunduar. Madje për njërën aktakuzë as nuk ka filluar procesi ende.

Milaim Zeka është duke u përballur me dy aktakuza. Në aktakuzën e parë ai dyshohet për mashtrim të 920 kosovarëve me viza pune në Gjermani. Së bashku me ortakun e tij Ilir Krasniqin ata dyshohet se kishin hapur një biznes për t’i dërguar kosovarët me viza pune në Gjermani.

Në vend të vizave të punës, kosovarët e kanë parë vetën në një skemë mashtrim. Zeka është duke u dyshuar për të njëjtin rast edhe të shmangies së tatimit dhe shpëlarje parash.

Aktakuza e dytë ndaj Milaim Zekës ka të bëjë me  kërcënimin që i kishte bërë prokurorit Afrim Shefkiu, i cili ishte i ngarkuar me lëndën e Zekës për mashtrim të vizave. Zeka në një emision televiziv e kishte kërcënuar prokurorin duke i thënë se me të do të merrej privatisht dhe me kanun.

Në anën tjetër kandidati për kryeministër nga AAK dhe PSD, Ramush Haradinaj, kishte përfunduar të gjitha proceset gjyqësorë nga gjykatat ndërkombëtare deri më tani, por së fundmi ai është ftuar si i dyshuar edhe nga Gjykata Speciale në Hagë.

Ramush Haradinaj më 16 qershor të këtij viti kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit me arsyetimin se është ftuar në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale. Kishte thënë se nuk dëshiron ta përfaqësoj vendin si i dyshuar.

“Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar”, kishte thënë Haradinaj.

Deri më tani kandidaturat për kryeministër të vendit kanë shpallur edhe Kadri Veseli nga PDK,  Vjosa Osmani nga LDK, Fatmir Limaj nga koalicioni Nisma – AKR./Sinjali/