Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kryer dje një intervenim kirurgjik si pasojë e një problemi shëndetësor, raporton Gazeta Sinjali.
Osmani për të kryer heqjen e tëmthit, e njohur ndryshe si heqja e idhëzës, ka zgjedhur një spital privat në kryeqytet, ani pse ky intervenim kryhet me laparaskopi që nga viti 2004 në Klinikën Abdominale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Por nga zyra e presidentes Osmani, mbrëmë pak pas mesnatës në një njoftim të shkurtër për mediat kanë bërë të ditur rreth intervenimit kirurgjik të presidentes pa treguar se kush ka qenë mjeku që e ka operuar.
“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se dje (2 nëntor), pas rekomandimit nga mjekët specialistë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit), i cili është realizuar me sukses”, thuhet në njoftim.