Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po mban konferencë pas takimit me kryetarët e partive politike parlamentare për të diskutuar lidhur me caktimin e datës të mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta parlamentare, ku mungoi Albin Kurti, kryetar i LVV-së, raporton Gazeta Sinjali.
Osmani deklaroi nuk i di arsyet e mungesës së Kurtit.
“Sot nuk ka qenë prezent kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk i dimë arsyet besoj mund ta pyesni drejtpërdrejt atë, po supozoj se është në zyrë. Kështu që mund të shkoni dhe ta pyesni”, ka thënë Osmani.
Në takim nuk janë parë zyrtarë të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, por as të partisë kryesore të serbëve në Kosovë, Lista Serbe.
Viti 2025 do të jetë vit i rregullt zgjedhor dhe nëse partitë vendosin që të mbahen zgjedhje të rregullta dhe jo të parakohshme, atëherë Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti do të bëhet Qeveria e parë që nga shpallja e pavarësisë, që do të përfundojë mandatin e plotë katërvjeçar.