image Presidentja Osmani kritikon BE-në që s’po flet me gjuhë të qartë karshi Serbisë

Politikë

Presidentja Osmani kritikon BE-në që s’po flet me gjuhë të qartë karshi Serbisë

news image

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka kritikuar Bashkimin Evropian që, sipas saj, nuk po flet me gjuhë të qartë karshi moszbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.

Osmani mendon se Bashkimi Evropian akoma nuk ka folur, së paku jo publikisht, qartë karshi Serbisë, për të cilën thotë se nuk po i respekton marrëveshjet e Brukselit.

Përkundrazi, thotë Presidentja, shteti serb po e bën të kundërtën e marrëveshjeve dhe prezencën e vet në dialog po e shfrytëzon për të penguar.

“Është përshtypja ime si presidente e Republikës që BE akoma nuk ka folur me gjuhë të qartë, sidomos jo gjuhë publike, sa i përket moszbatimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë. Serbia vazhdon në praktikë të bëjë të kundërtën e asaj që e ka nënshkruar, por BE-ja akoma nuk ka bërë thirrje publike në raport me Serbinë, që të ndërprejë një praktikë të tillë, ku ata janë prezent në dialog, por e shfrytëzojnë prezencën si obstruksion”, ka thënë Presidentja Osmani në një deklaratë për TV Klan.al.

Ajo ka përmendur kritikat e vazhdueshme të BE-së karshi Kosovës dhe thotë se është vetëm një marrëveshje që nuk e ka zbatuar Kosova, pasi ka vendim të Gjykatës Kushtetuese për të. I referohet marrëveshjes së Asociacionit.

E sheh të rëndësishëm rolin e ShBA-së në arritjen e marrëveshjes finale Kosovë Serbi. I gjithë procesi i dialogut sipas saj do të jetë i fokusuar në njohjen reciproke.

Takimi i fundit në kuadër të dialogut në Bruksel ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq ka ndodhur në Korrik të vitit të kaluar.

/GazetaSinjali/