Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përkujtuar kolonel Ahmet Krasniqin, në 25 vjetorin e vrasjes.
“25 vite më parë, nga një vrasje tinzare në Tiranë, e fitoi përjetësinë kolonel Ahmet Krasniqi. Kolonelin e vranë, porse jo lirinë, idealin, ëndrrën dhe angazhimin e përjetshëm të tij”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes.
Shkrimi i plotë:
25 vite më parë, nga një vrasje tinzare në Tiranë, e fitoi përjetësinë kolonel Ahmet Krasniqi.
Kolonelin e vranë, porse jo lirinë, idealin, ëndrrën dhe angazhimin e përjetshëm të tij.
Për kolonelin ka kush të shkruaj sot e përjetë, sepse ai është historia jonë, ai është historia e shtetit të Kosovës.
Veprimtaria e kolonelit është mbështetur mbi trashëgiminë e babait, të tij, i cili gjithashtu ishte një luftëtar për lirinë e kombit.
Liria jonë është testament nga kolonel Ahmeti dhe qindra heronj, bashkëluftëtarë e bashkëpunëtorë të tij.
Liria e Kosovës do të ketë më shumë kuptim kur borxhin ndaj kolonelit do ta përmbushim duke zbardhur vrasjen e tij.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për kolonel Ahmet Krasniqin!