Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka deklaruar se qeveria e saj dëshiron të shmangë vendosjen e tarifave reciproke ndaj Shteteve të Bashkuara, pavarësisht planeve tarifore gjithëpërfshirëse të Donald Trump.
Trump ka theksuar se qeveritë e huaja do të jenë të detyruara të paguajnë “shumë para” për të hequr taksat.
Gjatë një konference për media, Sheinbaum ka njoftuar se ministri i ekonomisë, Marcelo Ebrard, do të vazhdojë bisedimet me autoritetet amerikane në Uashington.
“Ne dëshirojmë të shmangim vendosjen e tarifave reciproke. Nuk e përjashtojmë si mundësi, por preferojmë të vazhdojmë bisedimet,” ka thënë ajo.
Ndërkohë, Meksika ka shpëtuar nga tarifa minimale prej 10% të vendosur nga Trump mbi importet nga shumica e shteteve, por mbetet nën ndikimin e tarifës 25% për makinat e importuara në SHBA.