Shpërndarja e sotme e Kuvendit të Kosovës i ka hapur rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në vend.
Sipas Kushtetutës dhe kornizës ligjore të Kosovës, kompetencën për shpalljen e zgjedhjeve e ka Presidenti.
Në bazë të Ligjit për zgjedhjet, presidenti Hashim Thaçi ka afat për caktimin deri të premten e javës së ardhshme pasi e shtuna dhe e diela janë ditë vikendi.
Neni 4, paragrafi 4.5 i Ligjit për Zgjedhjet thotë se “Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës zgjedhjet e parakohshme caktohen nga Presidenti jo me vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërndarjes”.
Në rast të shpërndarjes së Kuvendit, Zgjedhjet mbahen jo më vonë se dyzet e pesë (45) ditë pas shpërndarjes.
“Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe me vonë se dyzetë e pesë (45) ditë pas shpërndarjes. Zgjedhjet e parakohshme rregullohen nga ligjet dhe rregullat e njëjta të KQZ-së sikurse edhe zgjedhjet tjera, përveç se KQZ-ja mund të ndryshojë afatet kohore sipas nevojës në pajtim me rrethanat” thuhet në ligjin për zgjedhjet.
Në bazë të afateve lidhore dhe kushtetuese gjasat më të mëdha janë që zgjedhjet të caktohen të dielën e fundit të shtatorit më 29 shtator ose të dielën e parë të tetorit, më 6 tetor.
Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar. Legjislatura e ardhshme do të jetë e shtata me radhë. Përbërja e Kuvendit e cila u shpërnda sot llogaritet si ndër më pasivet e Kuvendit të Kosovës, gjë që e pranoi sot edhe kryeparlamentari Kadri Veseli. /Sinjali/