Taktika e Harry Kane gjatë ekzekutimit të penalltive ka ndezur debat pas fitores 4-2 të Anglisë ndaj Kroacisë në Botërorin 2026, me disa figura të futbollit që kërkojnë nga FIFA ta ndalojë këtë mënyrë gjuajtjeje.
Kapiteni anglez realizoi dy gola në suksesin e skuadrës së Thomas Tuchel, por momenti më i diskutuar erdhi në minutën e 12-të. Kane fillimisht e humbi penalltinë pasi goditja e tij u prit nga Dominik Livakoviq, por VAR-i konstatoi se portieri kroat kishte dalë nga vija para ekzekutimit dhe arbitri urdhëroi përsëritjen e penalltisë.
Në tentativën e dytë, sulmuesi i Bayern Munichut nuk gaboi dhe kaloi Anglinë në epërsi.
Pas ndeshjes, ish-sulmuesi i Ganës dhe Milanit, Kevin-Prince Boateng, kritikoi stilin e Kane, i cili përdor ndalesa të vogla gjatë vrapimit para goditjes.
“Kjo duhet të ndalohet”, deklaroi Boateng për CBS, duke iu referuar teknikës së penalltive që përdor kapiteni anglez.
Sipas rregullave të FIFA-s, portieri duhet të ketë të paktën një këmbë mbi ose në vijën e portës në momentin kur topi goditet.
Vetë Kane pranoi se e kishte studiuar më herët mënyrën se si reagon Livakoviqi në penallti.
“Kur pashë videot, vura re se ai lëviz shpesh herët. E dija se nëse përdorja atë ndalesën e vogël gjatë vrapimit, kishte mundësi të dilte nga vija. Isha rreth 80 për qind i sigurt që kishte lëvizur para kohe”, tha Kane për BBC Sport.
Sulmuesi anglez shtoi se pas përsëritjes ndryshoi pak teknikën e goditjes dhe se analiza e bërë para ndeshjes i dha rezultat.
Përveç dy golave të Kane, Anglia fitoi falë realizimeve të Jude Bellingham dhe Marcus Rashford, duke nisur në mënyrë perfekte aventurën në Grupin L.
Pas ndeshjes, Kane lavdëroi edhe ndikimin e Thomas Tuchel në pushimin mes dy pjesëve.
“Trajneri na tha se nëse humbnim, të paktën ta bënim në mënyrën tonë. Në pjesën e dytë dolëm me intensitet shumë më të lartë dhe Kroacia nuk mundi të na përballonte. Kjo është forca jonë më e madhe”, deklaroi kapiteni anglez.
Anglia do të luajë ndeshjen e radhës më 23 qershor kundër Ganës, ndërsa synon të vazhdojë marshimin drejt fazës eliminatore të Botërorit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!