image Presidenti i Shqipërisë përpos që s'pranoi ta takojë LDK-në, pati edhe 'teke' tjera të pazakonta

Politikë

Presidenti i Shqipërisë përpos që s’pranoi ta takojë LDK-në, pati edhe ‘teke’ tjera të pazakonta

news image

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, tashmë është në përfundim të vizitës së tij zyrtare në Kosovë. Por, ai kthehet në Shqipëri pa takuar partinë më të vjetër parlamentare në vend, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Cilat ishin prapaskenat e kësaj ndodhie të paprecedent për raportet Shqipëri-Kosovë?

LDK-ja e Abdixhikut ka provuar të ndërtojë raporte sa më të mira me të gjitha instancat politike në Shqipëri, përfshirë institucionin e Presidencës. Por, kjo qasje duket se nuk ka arritur që të tolerojë edhe disa kërkesa shumë specifike nga presidenti i ri i Shqipërisë.

LDK-ja e udhëhequr nga Abdixhiku ishte takuar në një hotel në Prishtinë me presidentin e Malit të Zi, z. Milo Gjukanoviq.

Gazeta Nacionale raporton se takimi me Presidentin Gjukanoviq kishte ndodhur në Hotel Swiss “për arsye sigurie”, e të cilat ishin specifikuar pikërisht nga ky i fundit.

Në anën tjetër, presidenti shqiptar Begaj nuk kishte dhënë asnjë arsye pse takimi nuk duhej të ndodhte në zyret partiake.

Për më tepër, burimet e Nacionales thonë që Begaj në kërkesën e tij nuk kishte qenë i qartë as sa i përket vend-takimit alternativ, e jo vetëm për arsyet e refuzimit të takimit në zyrë.

“Ai një herë kërkoi në hotel, e më pas e ndërroi, kërkoi në Kuvendin e Kosovës,” – u shpreh burimi.

Begaj – president i Shqipërisë – nuk besohet të ketë pasur arsye ‘sigurie’ prapa refuzimit të takimit në zyrat LDK-së siç ka pasur Gjukanoviq, president i Malit të Zi.

Por, këtu nuk përfundojnë ‘teket’ e pazakonta presidentit të ri shqiptar.

‘Paqartësive’ të tij të shumta iu shtua edhe kërkesa që të takohej me të tri partitë opozitare parlamentare të Kosovës në një vend.(PDK, LDK e AAK).

Nuk dihet nëse Begaj arrin ta kuptojë pluralizmin politik në Kosovë, që është dukshëm më i ndryshëm se ai në Republikën e Shqipërisë. Opozita e vendit nuk është një parti e vetme, dhe madje ka edhe qasje dhe politikë të ndryshme opozitëbërëse.

Begajt megjithatë ia ‘mirëkuptuan’ kërkesat liderët e dy partive tjera opozitare, PDK dhe AAK. Presidenti i Shqipërisë u takua me kryetarin e partisë më të madhe opozitare aktualisht, Memli Krasniqin dhe me kryetarin e partisë më të vogël opozitare aktualisht, Ramush Haradinajn. Të dyja këto takime ndodhën në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Burime brenda Ambasadës së Republikës së Shqipërisë kanë thënë për Nacionalen se “kishin mbetur të habitur” me kërkesat e bëra nga presidenti i tyre, Bajram Begaj.

Të pyetur në lidhje me çështjet e ngritura nga ky mos-takim me presidentin shqiptar, zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi dha arsyen zyrtare prapa kësaj ndodhie.

“Për dallim nga krerët insitucional paraprak të Shqipërisë, Presidentët e shkuar, Kryeminisrin e tanishëm, e të tjerë kryeministra paraprak, Presidenti Begaj ka refuzuar të takojë LDK-në në selinë qëndrore të saj.

Ndonëse nuk e kuptojmë refuzimin e tillë dhe shprehim njëkohësisht habinë për një qasje të pazakontë, konsiderojmë si mundësi të humbur takimin me Presidentin Begaj; të cilit i urojmë suksese në përfaqësimin më dinjitoz të Republikës së Shqipërisë. LDK ka selinë e vet dhe ajo mbetet e hapur për çdo zyrtar të shtetit shqiptar – siç ka qenë përherë.” – u shpreh ajo.

Kjo parti politike kishte pritur në zyrat e saj liderët e mëparshëm të shtetit shqiptar.

Bajram Begaj (55 vjeçar, i lindur në Rrogozhinë) është zgjedhur president i Shqipërisë më 24 korrik të këtij viti. Më herët ai kishte qenë Shef i Shtabit Gjeneral të Forcave të Armatosura Shqiptare.

/GazetaSinjali/