Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka apeluar të martën se drejtuesit e institucioneve të Kosovës që ta ruajnë qetësinë dhe të vijojnë dialogun me Serbinë.
Në një prononcim për mediet nga qyteti i Kukësit, ku po zhvillon një vizitë, Begaj u ndal edhe tek situata në veri të Kosovës.
“Mesazhi im për autoritetet e qeverisë së Kosovës është që të ruhet qetësia, të vazhdohet dialogu, sepse vetëm nëpërmjet dialogut mund të arrihet zgjidhja e problemeve”, ka thënë Begaj.
“Situata në tërësi globale e sigurisë është e cenuar. Siç e dini, sulmi i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës ka bërë që të çorientohet e gjithë situata e sigurisë edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që unë e vlerësoj që është një situatë e qetë, por shumë e brishtë dhe në çdo kohë mund të këtë tensione”, ka thënë Begaj.
“Ne si shqiptarë, si një komb, duhet të ruajmë qetësinë, duhet të mos biem pre e provokimeve dhe të garantojmë që jemi njerëz qytetarë, nuk duam luftën, por duam paqen dhe duhet të kontribuojmë sa më shumë për zgjidhjen e problemeve vetëm nëpërmjet dialogut”, ka deklaruar presidenti shqiptar.