image Presidenti i Këshillit Evropian paralajmëron vizitë në Ballkanin Perëndimor

Evropë

Presidenti i Këshillit Evropian paralajmëron vizitë në Ballkanin Perëndimor

news image

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka deklaruar se zgjerimi është investimi më i rëndësishëm gjeopolitik që mund të bëjë Bashkimi Evropian. Gjatë fjalimit në Qendrën për Politikë Evropiane të martën, me rastin e 68-vjetorit të Traktatit të Romës, ai konfirmoi se në maj do të vizitojë Ballkanin Perëndimor.

“Zgjerimi është investimi më i mirë gjeopolitik i Bashkimit Evropian. Kjo është arsyeja pse kam vizituar Ukrainën dy herë në katër muajt e fundit, Moldavinë në mars dhe pse samiti i parë që unë drejtova ishte me Ballkanin Perëndimor, një rajon që do ta vizitoj gjatë muajit maj”, ka thënë Costa.

Ai theksoi se BE-ja duhet të punojë me vendosmëri për të integruar Ballkanin Perëndimor, Ukrainën dhe Moldavinë, duke e cilësuar zgjerimin si një nga arritjet më të mëdha gjeostrategjike të unionit.

Në fjalën e tij, Costa nënvizoi rëndësinë e sigurisë evropiane, duke deklaruar se “siguria e Evropës fillon në Ukrainë” dhe se BE-ja duhet të mbështesë vazhdimisht këtë vend për të garantuar paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.

Duke folur për sfidat aktuale, ai paralajmëroi se pa mbrojtje të fortë, paqja mbetet vetëm iluzion.

“Prandaj, BE-ja duhet të investojë në aftësitë mbrojtëse, si mbrojtja ajrore dhe siguria kolektive”, ka shtuar ai.

Costa theksoi gjithashtu se prosperiteti ekonomik është kyç për të forcuar sigurinë, duke argumentuar se investimet në mbrojtjen evropiane do të ndihmojnë në zhvillimin e industrisë, teknologjisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës për qytetarët e BE-së.

Presidenti i Këshillit Evropian përfundoi duke vënë theksin në domosdoshmërinë e një Evrope të fortë ekonomikisht dhe të sigurt, që i përgjigjet sfidave globale dhe garanton mirëqenie për qytetarët e saj.