image Presidenti finlandez propozon një BE më të madhe, përmend edhe Kanadanë si partnere të mundshme

Evropë

Presidenti finlandez propozon një BE më të madhe, përmend edhe Kanadanë si partnere të mundshme

news image

Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, ka bërë thirrje për një zgjerim të ndjeshëm të Bashkimit Evropian, duke argumentuar se blloku duhet të forcojë rolin e tij në arenën ndërkombëtare përballë sfidave të reja gjeopolitike.

Sipas Stubbit, Bashkimi Evropian duhet të synojë një të ardhme me rreth 40 shtete anëtare ose partnere të afërta, duke përfshirë vende që tradicionalisht kanë qëndruar jashtë strukturave të BE-së.

Ai vlerësoi se zhvillimet globale, përfshirë luftën në Ukrainë dhe ndryshimet në politikën e jashtme amerikane, kanë krijuar një moment të favorshëm për rishikimin e rolit dhe madhësisë së unionit evropian.

Në mesin e vendeve që përmendi si kandidatë potencialë për integrim ose bashkëpunim më të ngushtë me BE-në janë Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Turqia, Norvegjia, Islanda dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Vëmendje të veçantë ka tërhequr përfshirja e Kanadasë në këtë vizion, pasi Stubb sugjeroi se lidhjet më të afërta me Evropën mund të jenë një alternativë më e favorshme sesa çdo formë integrimi me Shtetet e Bashkuara.

Deklaratat e presidentit finlandez vijnë në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur publikisht idenë që Kanadaja të bëhet pjesë e SHBA-së, një qëndrim që ka nxitur reagime të shumta në të dy anët e Atlantikut.

Propozimi i Stubbit shihet si pjesë e debatit më të gjerë për të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe rolin që ai mund të luajë në rendin e ri global.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/