Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, ka nisur një sulm ndaj vaksinave të koronavirusit të prodhuara nga kompanitë amerikane. Së fundmi, ai është shprehur se vaksina Pfizer-BioNTech mund t’i kthejë njerëzit në krokodila ose zonja me mjekër.
Lideri brazilian i ekstremit të djathtë ka qenë skeptik ndaj pandemisë së koronavirusit qëkur e quajti atë “një grip i lehtë”. Këtë javë ai këmbënguli se nuk do të vaksinohej, edhe pse vendi ka nisur programin e vaksinimit masiv.
“Në kontratën e Pfizer thuhet shumë e qartë: ‘ne nuk mbajmë përgjegjësi për ndonjë efekt anësor’. Nëse kthehesh në një krokodil, është problemi yt”, tha Bolsonaro, rapoton Business Today, përcjell Gazeta Sinjali.
Pfizer-Biotech u është nënshtruar testeve në Brazil për javë të tëra dhe tashmë po përdoret në Shtetet e Bashkuara dhe Britani.
“Nëse bëheni mbinjerëzorë, nëse një gruaje fillon t’i rritet mjekra ose nëse një burrë fillon të flasë me zë demëror, ata nuk mbajnë përgjegjësi”, tha ai, duke iu referuar prodhuesve të vaksinave.
Kur nisi fushatën e imunizimit të mërkurën, Bolsonaro gjithashtu tha se vaksina do të ishte falas, por jo e detyrueshme.
Por Gjykata e Lartë të enjten vendosi që vaksina ishte e detyrueshme.
Kjo do të thotë që autoritetet mund të gjobisin njerëzit për mosvaksinim dhe t’i ndalojnë ata në hapësira të caktuara publike, por jo t’i detyrojnë ta bëjnë injeksionin.
Brazili ka regjistruar më shumë se 7.1 milionë raste dhe pothuajse 185 mijë vdekje nga Covid-19.
Vetë Bolsonaro u infektua në korrik, por u shërua brenda tri javësh./Gazeta Sinjali/