Presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, ka thënë se shteti i tij do të përgjigjet nëse Bashkimi Evropian vendos sanksione të reja kundër Bjellorusisë lidhur me fluksin e emigrantëve në kufirin perëndimor të vendit, raporton Euronews, përcjell Gazeta Sinjali.
Mijëra emigrantë mbetën të ngecur jashtë në kushte të vështira në kufirin mes Bjellorusisë dhe Polonisë për shkak të përplasjes mes Minskut dhe BE-së.
Udhëheqësi bjellorus ka shqyrtuar mundësinë e ndërprerjes së tubacionit Yamal-Evropë, i cili kalon Bjellorusinë nga Rusia në furnizimin me gaz të vendeve të BE-së, Gjermanisë dhe Polonisë në veçanti.
“Ne e ngrohim Evropën dhe ata po kërcënojnë të mbyllin kufirin dhe çfarë do të ndodhte nëse e ndërpresim gazin natyror që shkon atje? Prandaj, unë do t’i këshilloja liderët polakë, lituanezë dhe liderë të tjerë, të mendojnë përpara se të flasin“, tha Lukashenko.
Minsk besohet se ka organizuar transportin e njerëzve për të arritur në Evropë nga vendet e Lindjes së Mesme në veçanti, duke i mashtruar ata se do të jenë në gjendje të hyjnë në BE.
Kryeministri i Polonisë, Mateusz Moraëiecki, tha sot se vendi i tij ishte objektivi i një “lloji të ri lufte”, ku “municionet janë civilë”. Ai ka akuzuar Bjellorusinë për “terrorizëm shtetëror” dhe Vladimir Putinin e Rusisë për sponsorizimin e operacionit.
Një ministër polak tha se kishte më shumë përpjekje për kalime gjatë natës nga Bjellorusia, duke përfshirë një grup prej 150 migrantësh.
Përpjekjet e shumta këtë javë nga qindra njerëz për të thyer gardhet me tela me gjemba në kufirin Bjellorusi-Poloni kanë shkaktuar një përshkallëzim të konsiderueshëm të krizës.
Rreth 15 mijë forca sigurie polake janë vendosur në kufirin me Bjellorusinë, për të penguar numrin në rritje të njerëzve./Gazeta Sinjali/