image President apo Car i përjetshëm? Putini i gatshëm për ta ndryshuar Kushtetutën

Botë

Qëllimi/ President apo Car i përjetshëm? Putini i gatshëm për ta ndryshuar Kushtetutën

news image

Vladimir Putin qëndron në pushtet në Rusi prej 20 vitesh, por duket se nuk ka ndërmend të tërhiqet kur t’i përfundojë mandati në vitin 2024.

Gjatë konferencës tradicionale të fundvitit për mediat, presidenti rus la të kuptohej se mund të ndryshonte rregullat e lojës për të zgjatur kohën në pushtet. Mandati i tij si president përfundon në vitin 2024 dhe sipas Kushtetutës së Federatës Ruse, ai nuk ka më të drejtë të kandidojë, pasi ka kryer dy mandate rresht.

“Kushtetuta është një mjet jetese që duhet të korrespondojë me nivelin e zhvillimit të një shoqërie. Gjithçka mund të ndryshohet, në një mënyrë ose një tjetër”, tha ai. “Por kjo duhet bërë vetëm pas përgatitjeve të mira dhe diskutimit të gjerë në shoqëri, me shumë kujdes”.

67-vjeçari u bë president për herë të parë në vitin 2000. Pas dy mandateve 4-vjeçare bëri një rokadë me Dimitri Medvedev dhe pasi ndryshoi Kushtetutën duke e bërë mandatin e Presidentit 6-vjeçar, ky i fundit u tërhoq nga gara dhe në vitin 2012 Putin u rikthye në pushtet si President.

I pyetur për procesin e nisur nga demokratët në SHBA për shkarkimin e Presidentit Trump, Putin tha se ai do të mbijetojë, pasi akuzat ishin “tërësisht të shpikura”.