Presidenca e Kosovës ka reaguar pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovë në veri të vendit, në tri ditët e fundit, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas presidencës, Serbia i ka kryer këto sulme, duke synuar ta destabilizojë situatën e sigurisë në Kosovë.
“Ditët e fundit, Serbia dhe strukturat e saj kriminale kanë kryer disa sulme kundër Policisë së Kosovës në veri. Këto veprime të shoqëruara me tentativa dezinformuese synojnë të destabilizojnë situatën e sigurisë dhe politike në Kosovë. Ata do të dështojnë, shteti i së drejtës do të mbizotërojë.”
Ndryshe, Gazeta Sinjali sot raportoi për gjuajtje me armë drejt pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Kjo u konfirmua edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
Sveçla tha se zyrtarët policorë u sulmuan sot rreth orës 07:40 me granatë dore dhe kallashnikov, duke e quajtur këtë sulm si akt terrorist.