image Presidenca dhe KQZ-ja s'e dinë kur do të mbahen zgjedhjet në Podujevë e në Mitrovicë Veriore

Politikë

Presidenca dhe KQZ-ja s’e dinë kur do të mbahen zgjedhjet në Podujevë e në Mitrovicë Veriore

news image

Masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit janë liruar pothuajse të gjitha, megjithatë ende nuk është marrë një vendim për mbajtjen e zgjedhjeve në komunën e Podujevës dhe në veri të Mitrovicës.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka shtyrë për një afat të pacaktuar mbajtjen e zgjedhjeve lokale në këto dy komuna. Ato mbeten pa kryetarët e tyre pasi ata morën poste në Qeverinë e Kosovës.

Agim Veliu, ishte zgjedhur ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, e që të njëjtën pozitë e mbanë edhe në Qeverinë aktuale, ndërsa Goran Rakiq, kryetar i Mitrovicës së Veriut është zgjedhur zëvendëskryeministër në qeverinë e Avdullah Hotit.

Nga zyra e presidencës ka thënë është duke u përcjellur situata me pandeminë, dhe se në konsultim me KQZ-në  dhe institucionet shëndetësore, varësisht prej rrethanave do të merret vendimi.

“Presidenti në mënyrë të vazhdueshme po e përcjellë ecurinë e gjendjes së krijuar me pandeminë dhe në konsultim me KQZ-në dhe institucionet shëndetësore, varësisht prej rrethanave, do ta marrë vendimin e duhur”, thuhet në përgjigje.

Në anën tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të vendimit të presidentit që të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka shprehur gatishmërinë e Këtij institucioni, se kurdo që u kërkohet do të organizojnë zgjedhjet për këto dy komuna.

 “Sa i përket konkretisht zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut, mund të themi që KQZ-ja fillon me përgatitjet intensive të këtij procesi zgjedhor pasi të shpallet ai nga ana e presidentit të Kosovës. Ndërkaq, sa i përket vazhdimit të procesit të organizimit të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Podujevës, gjithashtu KQZ-ja do të vazhdojë me organizimin e këtyre zgjedhjeve sapo të kemi një datë nga ana e presidentit të Republikës së Kosovës. Dihet që proceduralisht sapo të shpallet data … për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, në këtë rast për kryetar të një komune ajo çka bënë KQZ është fillimisht marrja e një vendimi përmes së cilit shqyrtohen afatet kohore për organizimin e një procesi zgjedhor dhe pastaj është edhe miratimi i planit operacional, ku parashihen të gjitha aktivitetet dhe koha se kur duhet të kryhen këto aktivitete në mënyrë që të realizohet një proces zgjedhor”, ka thënë ai.

Shtyrjen e mëtejshme të mbajtjes së zgjedhjeve për kryetar të këtyre dy komunave e sheh të panevojshëm, njëri nga kandidatët për kryetar të Podujevës.

Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ishte kandidat për të parin e Podujevës, ka thënë se pas lirimit të masave nuk ka arsye që këto zgjedhje të mos mbahen.

“Jemi në pritje që të merret dekreti i presidentit që të zhbllokojë çështjen e pezullimit të këtyre zgjedhjeve për komunën tonë. Mendojmë që tani më nuk ka asnjë arsye që ky proces më tutje të prolongohet. E vetmja arsye mund të jetë e atyre të cilët mund të kenë frikë nga humbja e sigurt e këtyre zgjedhjeve në Komunën e Podujevës. Prandaj, nga këtu i bëjë apel presidentit të vendit që sigurisht në bashkëpunim me institucionet tjera të shëndetit publik sa më shpejt të hap procesin dhe të hap rrugën e mbylljes së këtij procesi zgjedhor i cili ka mbetur në gjysmë për shkak të pandemisë”, ka thënë ai.

Zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës ishin paraparë të mbahen në muajin mars, po ato u anuluan për shkak të rasteve me COIVD-19 në ven.

Qeveria e Kosovës ka liruar pothuajse të gjitha masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke hequr kufizimin e lirisë së lëvizjes dhe hapjen e kufijve.

Deri më tani në kosovë janë regjistruar 1437 raste me koronavirusku,  928 persona persona janë shëruar dhe 33 kanë vdekur./GazetaSinjali/