image Prenga largohet i përlotur pas duelit me Joshuan, pamjet prekin tifozët

Sporte Luftarake

Prenga largohet i përlotur pas duelit me Joshuan, pamjet prekin tifozët

news image

Boksieri shqiptar Kristian Prenga e mbylli me emocione të forta sfidën ndaj ish-kampionit të botës Anthony Joshua, pasi u pa duke u larguar i përlotur nga arena pas humbjes në Jeddah Superdome të Arabisë Saudite.

Prenga ishte shumë pranë një rezultati historik. Në raundin e parë ai befasoi Joshuan, duke e rrëzuar dy herë dhe duke marrë kontrollin e meçit, çka ngriti shpresat për një nga surprizat më të mëdha të viteve të fundit në boksin profesionist.

Megjithatë, përvoja e britanikut bëri diferencën në raundin e dytë. Joshua reagoi me një goditje të fuqishme me të djathtën, e cila e rrëzoi Prengën. Boksieri shqiptar nuk arriti të rikthehej brenda numërimit të gjyqtarit, duke i dhënë fitoren ish-kampionit të botës me nokaut.

Pas përfundimit të përballjes, Joshua pati fjalë vlerësuese për kundërshtarin e tij, duke e cilësuar si një boksier të fortë dhe me potencial të madh për të ardhmen. Ai theksoi se Prenga i shkaktoi vështirësi reale në ring dhe se me më shumë përvojë mund të arrijë rezultate të rëndësishme në nivelin më të lartë.

Ndërkohë, në rrjetet sociale janë shpërndarë pamje që tregojnë Prengën duke u larguar nga arena me lot në sy, ndërsa ndaloi edhe për disa fotografi me të pranishmit. Reagimi i tij emocional ka prekur shumë tifozë, të cilët kanë vlerësuar paraqitjen e shqiptarit dhe luftën që zhvilloi ndaj një prej emrave më të mëdhenj të peshave të rënda.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/