image Prej 60 milionë eurove, edhe 3.7 milionë ende nuk janë ekzekutuar për bizneset

Financa

Prej 60 milionë eurove, edhe 3.7 milionë ende nuk janë ekzekutuar për bizneset

news image

Kanë mbetur edhe 3.7 milionë euro pa u ekzekutuar nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike që është paraparë të mbështeten 36 mijë e 679 biznese për subvencionimin e pagave.

Këshilltari i ministres së Financave, Lulëzim Krasniqi ka thënë se deri tash nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike prej 60 milionë eurosh për subvencionimin e pagave, janë ekzekutuar 56.3 milionë.

Ekzekutimi për pjesën tjetër të bizneseve të cilat ende nuk i kanë përditësuar të dhënat në sistemin EDI në ATK, Krasniqi tha se 3.7 milionë euro do të ekzekutohen në ditët në vijim.

“Nga shuma prej 60 milionë eurosh që ka qenë e paraparë përmes vendimit të qeverisë deri më tani janë ekzekutuar 56.3 milionë. Pjesa tjetër do të ekzekutohen në ditët në vijim, edhe pse ministria është e gatshme, por është çështje e përditësimit të dhënave për bizneset në sistemin elektronik EDI në Administratën Tatimore. Pra, ne jemi gati”, tha Krasniqi.

Ndërsa, nesër në Komisionin për Buxhet dhe Transfere pritet të shqyrtohet në lexim të dytë Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike që mundëson edhe tërheqjen e 10% të mjeteve në Trust. /Gazeta Sinjali/