Luksi dhe komoditeti në spitalet dhe klinikat private në Kosovë është goxha i madh, por nëse kjo është për t’u vlerësuar, s’mund të thuhet e njëjta gjë sa i takon çmimeve të kripura për shërbimet që ofrojnë. Duke kërkuar çare për hallet e tyre, kosovarët iu drejtohen këtyre qendrave shëndetësore dhe për pasojë harxhojnë shuma të majme parash për shërbimet që marrin, edhe pse nuk e meritojnë çmimin që paguajnë, raporton Gazeta Sinjali.
Ndër spitalet që janë kritikuar më së shumti sa i përket çmimeve së fundmi në një sondazh të publikuar nga Sinjali është Spitali Amerikan dhe Spitali Aloka.
Por çfarë çmimesh kanë këto spitale dhe disa të tjera për një operacion të caktuar?
Gazeta Sinjali ka kontaktuar disa nga spitalet private në Kosovë për t’i pyetur lidhur me çmimin për të kryer operacionin për të hequr apandesitin e njohur në popull si ‘zorra qorre’. Katër spitalet që janë kontaktuar kanë çmime të ndryshme për këtë operacion dhe dallimi mes tyre është i frikshëm.
Kësaj liste sigurisht se i prinë Spitali Amerikan, i cili është një ndër spitalet private për të cilin më së shumti ka ankesa dhe pakënaqësi lidhur me trajtimin shëndetësor, apo siç e quajnë ndryshe pacientët që kanë pasur përvojë me të – “Spitali i vdekjes”.
Çmimi për të kryer operacionin për ‘zorrën qorre’ në këtë spital fillon nga 1600 euro dhe më tutje. Kështu kanë deklaruar nga ky spital, kur janë kontaktuar për të marrë informacione se si funksionon lënia e terminit, kontrollet dhe kryerja e operacionit.
Por nuk janë në pyetje vetëm 1600 euro. Pasi shumë herë pacientët futen me mendimin se do të shpenzojnë vetëm për operacionin, por përfundojnë duke paguar edhe shërbime të tjera, që në plot raste janë të panevojshme, por “rekomandohet” nga spitali.
Megjithatë këto çmime nga vet spitali shihen si “më të mirat” për shërbimet shëndetësore që ofrojnë. Kështu të paktën thuhet në një nga reklamat e publikuara nga spitali, gjë që nuk qëndron dhe kjo është vërtetuar shumë herë.
“Si një nga institucionet e para private shëndetësore në vend, Spitali Amerikan është i pari dhe i vetmi spital, i cili vjen në shërbim të pacientëve me ofertat dhe çmimet më të mira për shërbimet shëndetësore.”
Hiç më mirë nuk qëndron as Olive Hospital. Në këtë spital, çmimi për kryerjen e operacionit për të hequr apandesitin nis nga 1 mijë euro dhe mund të shkojë deri në 1 mijë e 200 euro.
Pra dallimi me Spitalin Amerikan është për 400 euro, por që sigurisht jo gjithçka mund të kryhet vetëm me kaq para.
Spitali tjetër që është kontaktuar dhe ka pasur po ashtu çmim që ka prekur 1 mijëshen është Spitali Aloka. Për operacionin për zorrën qorre, një pacient duhet t’i ketë së paku 700 euro, për t’ia mësyrë këtij spitali, çmim ky që mund të shkojë deri në 1000 euro.
Kështu kanë deklaruar nga ky spital kur janë kontaktuar se sa duhet të paguajë një person për t’iu nënshtruar një operacioni të tillë.
Nga lista e spitaleve që janë kontaktuar, çmimin më të ulët e ka pasur ‘Kavaja Hospital’, që kanë deklaruar se për të hequr apandesitin kushton 880 euro, çmim ky fiks edhe pse nuk dihet nëse mund të lëvizë kur një pacient shtrihet dhe spitali ofron “shërbime” të tjera, duke e trashur kështu faturën që do të paguajë.
E përbashkëta e këtyre spitaleve është ‘gatishmëria’ që terminët për këtë operacion por edhe shërbime tjera t’i caktojnë në afat sa më të shkurtër kohor, që të mos humbin asnjë mundësi.
“Një grip me të ra, katër stenta t’i ngjesin”, spitalet private që po zhgënjejnë kosovarët
Në pyetjen e Sinjalit se “Cili është spitali privat që ofron shërbime që nuk meritojnë çmimin që paguajnë pacientët?”, qytetarët kanë dhënë përgjigje të ndryshme. Por, shumica e përgjigjeve patën adresën e “Spitalit Amerikan” dhe “Spitalit Aloka”, ku nuk munguan as ata të cilët nuk përjashtuan asnjë spital privat.
“Spitali american vetem emri se krejt mjek shqiptare cmimet turpi page 300e populli nje vizite analiz shkon cmimi mos u ngopshin u pasurun ne kurrizin e popullit ..po cfar betimi te hipokratit mkan ba kta mjek te korruptun edhe gjakun ja u pin kosoves”, tha një qytetare.
“Duhet me pas koh shum te madhe me tregu perjetime skandaloze e te dhimbshme te ketyre Spitalev private te gjitha pa perjashtim te ndonje Emri jan pa as nje vler njerzore”, tha një qytetar.
“Krejt jan rrjepsa hajna qe i plaqkitin qytetart ..sepse shteti o i korruptum..”
“Kta jan Kasapnica e nuk jan spitale , veq spitale se kan emrin”, u shprehen disa qytetarë.
Gazeta Sinjali fton të gjithë sinjalizuesit që kanë kaluar përvoja të hidhura në spitalet në Kosovë, t’i denoncojnë rastet, të cilat do të trajtohen në bazë të standardeve profesionale.
Gazeta Sinjali fton të gjithë sinjalizuesit që kanë kaluar përvoja të hidhura në spitalet në Kosovë, t’i denoncojnë rastet, të cilat do të trajtohen në bazë të standardeve profesionale.