image Pre e mjekëve të Spitalit Amerikan ka rënë edhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, detaje si iu rrezikua jeta pas operacionit

Shëndetësi

Shëndetësi/ Pre e mjekëve të Spitalit Amerikan ka rënë edhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, detaje si iu rrezikua jeta pas operacionit

news image

Dy paciente që kanë shkuar për ta gjetur shërimin në Spitalin Amerikan në Kosovë, nga aty kanë dalë më të sëmura. Ndonëse i përkasin profileve të ndryshme, madje, njëra nga to është ish-deputete e Kuvendit të Kosovës, historitë e tyre janë të ngjashme. Të dyja janë operuar nga mjeku Sabri Tmava i cili pavarësisht komplikimeve shëndetësore që u janë shfaqur pas operacionit i ka liruar për në shtëpi. Përkundër dhimbjes së tmerrshme, pacientet kanë humbur drastikisht edhe peshën trupore, megjithatë ky fakt nuk i ka interesuar mjekut në fjalë, ai ka insistuar se janë ‘mirë’. Por, pacientet janë bërë mirë pasi janë rioperuar në spitale tjera të rajonit.

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës (emër i njohur për redaksinë), ka ushtruar kallëzim penal për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor ndaj dy mjekëve të Spitalit Amerikan, specialistit në kirurgjinë e përgjithshme, Sabri Tmava endoskopist dhe mjekut specialist me shtetësi turke, Ugur Gozalan.

Në kallëzimin penal thuhet se ndaj të dëmtuarës, mjekët Tmava e Gozalan, gjatë ushtrimit të detyrës, me veprimet dhe mosveprimet e tyre gjatë ndërhyrjes kirurgjike, më datë 08 janar 2016  kanë përdorur metodën e papërshtatshme mjekësore dhe nuk kanë ndërmarr veprimet e duhura mjekësore, ku për pasojë, të dëmtuarës i është keqësuar rëndë shëndeti dhe i është rrezikuar jeta.

Të dëmtuarës, kjo gjendje i kishte zgjatur për rreth dy muaj derisa ishte detyruar të bënte ndërhyrjen e fundit kirurgjike në një spital në Podgoricë ku edhe ishte shëruar.

Padi ndaj Spitalit Amerikan ka paralajmëruar edhe qytetarja N.K., e cila në një rrëfim për Gazetën Sinjali, thotë se pas operacionit ‘shpirti jem e di qysh i kam përjetu ato ditë’.

Për operacionin që sipas N.K. ka dështuar, ajo është dashur të paguajë rreth 3 mijë euro në Spitalin Amerikan dhe në fund është detyruar të rioperohet në një spital privat në Maqedoninë Veriore, ku edhe e ka gjetur shërimin.

Pacientja me inicialet N.K., ka rrëfyer përvojën e saj për Gazetën Sinjali pas publikimit të një serie shkrimesh për mashtrimet që familjarët e një pacienti pretendojnë se u janë bërë nga mjekët e Spitalit Amerikan. Rrëfimin e saj të plotë mund ta lexoni KËTU./Gazeta Sinjali/