Bryan Kohberger, i dënuar me katër dënime të përjetshme për vrasjen e katër studentëve të Universitetit të Idahos në vitin 2022, ka kërkuar të tërheqë pranimin e fajit dhe të përballet sërish me një proces gjyqësor.
Kohberger ka dorëzuar të hënën një kërkesë për rishikim të dënimit në Gjykatën e Qarkut Ada në Idaho. Në dokumentet e gjykatës thuhet se ai po e përfaqëson vetë veten.
Ai kishte pranuar fajin në korrik të vitit 2025 për të shmangur një gjyq për vrasjen e katërfishtë dhe aktualisht po vuan katër dënime të përjetshme.
Në një intervistë për “The New York Times”, Kohberger pretendoi se është i pafajshëm dhe se ishte bindur në mënyrë të padrejtë për të pranuar krimet.
“Pafajësia ime është e vërteta ime dhe pranimi i fajit, i bazuar në premtime të rreme dhe dezinformata të hapura, duhet të tërhiqet”, deklaroi ai.
Kohberger i ka quajtur pretendimet e hetuesve një “rrëfim të njëanshëm” dhe “një vepër trillimi”, duke thënë se ato nuk janë sfiduar kurrë në gjykatë.
Ai u shpall përgjegjës për vrasjen e Madison Mogen, Kaylee Goncalves, Xana Kernodle dhe Ethan Chapin, të cilët u gjetën të vrarë në një shtëpi jashtë kampusit më 13 nëntor 2022.
Në kohën e vrasjeve, Kohberger ishte student doktorature në drejtësi penale. Pas marrëveshjes për pranimin e fajit, ai u dënua me katër burgime të përjetshme radhazi për katër akuza për vrasje të shkallës së parë, si dhe 10 vite burg për një akuzë për vjedhje.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!