Policia e Kosovës më 17 korrik 2020 kishte pranuar një ankesë lidhur me pretendimet e një qytetari (të mitur – 16 vjeçar) për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga dy zyrtarë policorë në një incident që kishte ndodhur më 17 korrik në Pejë.
Bazuar në kompetencat ligjore rasti është përcjellë për trajtim në Inspektoratin Policor të Kosovës respektivisht në Departamentin e Hetimeve të IPK-së.
“Hetuesit e IPK-së pas pranimit të rastit menjëherë janë angazhuar duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast që kanë përfshirë marrjen e deklaratave nga dëshmitarët okular si dhe sigurimin e disa video incizimeve.
Pas veprimeve hetimore, në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar dje në orët e mbrëmjes dy zyrtarët policorë në Pejë që ishin të përfshirë si të dyshuar në këtë incident”, njofton IPK, transmeton Gazeta Sinjali.
Arrestimi i tyre është bërë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe “lëndim i lehtë trupor” kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe janë suspenduar nga detyra.
Njëri nga zyrtarët policorë tashmë të arrestuar është i dyshuar edhe për kanosje ndaj një dëshmitari të këtij incidenti.
“Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, përfundon njoftimi i IPK-së.