Është arrestuar edhe një zyrtar tjetër policor në Shtime i cili po dyshohet se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.
Burime të Sinjalit nga prokuroria kanë bërë të ditur se është aprovuar kërkesa e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), për arrestimin e edhe një zyrtari policor të Kosovës në Shtime, pasi më herët është arrestuar një tjetër zyrtar policor.
Sinjali kishte raportuar gjatë ditës së sotme për arrestimin e zyrtarit policor në Shtime nga rajoni i Ferizajt. IPK kishte marrë informata dy ditë më parë se zyrtari policor nga rajoni i Ferizajt lidhet me aktivitete të dyshimta.
Dyshohet për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Hetuesit e IPK-së kanë siguruar edhe urdhëresën nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për realizimin e masave të fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit”.
“Si rezultat i veprimeve hetimore, IPK ka arrestuar sot në orët e pasdites në Shtime zyrtarin policor të dyshuar për veprën penale “Marrje ryshfeti” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”dhe me vendim të prokurorit kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”.