image Praktikantja në selinë ushtarake të NATO-s arrestohet nën dyshimet për spiunazh

Botë

Praktikantja në selinë ushtarake të NATO-s arrestohet nën dyshimet për spiunazh

news image

Një shtetase kanadeze me origjinë kineze, e cila punonte si praktikante në selinë kryesore ushtarake të NATO-s në Belgjikë, është arrestuar nën dyshimet për spiunazh.

Zyra e Prokurorit Publik Federal të Belgjikës njoftoi se gruaja dyshohet se ka spiunuar në emër të një shteti të tretë dhe se ka qenë pjesë e një organizate kriminale.

E dyshuara ishte e angazhuar në Shtabin Suprem të Fuqive Aleate për Evropën, i njohur si SHAPE, në qytetin Mons. Autoritetet nuk kanë publikuar identitetin e saj dhe as shtetin apo organizatën për të cilën dyshohet se ka vepruar.

Sipas prokurorëve, sjellja e saj kishte tërhequr vëmendjen e shërbimeve të sigurisë, të cilat më pas e raportuan rastin te inteligjenca belge.

Hetuesit kontrolluan banesën dhe vendin e saj të punës, ndërsa arrestimi u krye të premten.

SHAPE është selia kryesore ushtarake e NATO-s dhe qendra e Komandës Aleate të Operacioneve, përgjegjëse për planifikimin dhe realizimin e operacioneve të aleancës.

Një zëdhënës i NATO-s deklaroi se deri më tani nuk ka indikacione që rasti të ketë ndikuar në gatishmërinë operacionale, sistemin komandues apo aktivitetet e vazhdueshme të aleancës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/