Një video e publikuar në TikTok ka çuar Policinë në një bastisje në Skenderaj, ku është sekuestruar një armë automatike AK-47, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se gjithçka nisi pasi zyrtarët policorë vunë re në rrjetet sociale një video ku një i mitur shfaqte një revole brenda një veture BMW.
Pas identifikimit të personit, hetuesit, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, shkuan në shtëpinë e J.T., rreth 17-vjeçar në fshatin Vitak. Në prani të prindërve të tij, i mituri mohoi se posedonte armën e shfaqur në video.
Me pëlqimin e pronarit të shtëpisë, Policia kreu bastisjen e objektit dhe hapësirave përcjellëse, ku në çatinë e shtëpisë gjeti një armë automatike AK-47, një karikator dhe një fishek.
Sipas burimeve, pronësinë e armës e ka pranuar Florim Tarakaj, rreth 50-vjeçar, babai i të miturit.
Të dy janë shoqëruar në stacion policor dhe janë intervistuar. I mituri është intervistuar në praninë e përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale dhe avokatit mbrojtës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa procedura do të vazhdojë në rrugë të rregullt.
Arma automatike, karikatori dhe fisheku janë sekuestruar si prova materiale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!