image Posterët kundër shqiptarëve në Serbi nxisin reagime, kërkohet identifikimi i autorëve

Kosovë

Posterët kundër shqiptarëve në Serbi nxisin reagime, kërkohet identifikimi i autorëve

news image

Vendosja e posterëve me mesazhe urrejtjeje ndaj shqiptarëve në qytetin e Krushevcit ka shkaktuar reagime nga institucionet dhe opozita në Serbi, të cilat kanë kërkuar hetim të menjëhershëm dhe ndjekje penale të autorëve.

Avokati i Popullit në Serbi, Zoran Pashalliq, u bëri thirrje organeve kompetente që të identifikojnë personat përgjegjës dhe të ndërmarrin masa për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.

Ai theksoi se shteti ka detyrimin të mbrojë të drejtat e të gjitha pakicave kombëtare dhe të reagojë ndaj çdo forme të gjuhës së urrejtjes, diskriminimit dhe nxitjes së tensioneve etnike.

Posterët u shfaqën pranë një furre buke në pronësi të një familjeje shqiptare, duke bërë thirrje për bojkotimin e bizneseve të shqiptarëve dhe duke përmbajtur mesazhe që janë cilësuar si nxitëse të urrejtjes.

Reagime pati edhe nga juristja Brankica Jankoviq, e cila vlerësoi se raste të tilla duhet të dënohen nga i gjithë opinioni publik, pasi cenojnë bashkëjetesën dhe sigurinë e komuniteteve.

Ndërkohë, partia opozitare Lëvizja e Qytetarëve të Lirë kërkoi nga policia dhe prokuroria që të zbardhin rastin dhe të hetojnë nëse janë konsumuar elemente të veprave penale që lidhen me nxitjen e urrejtjes dhe intolerancës kombëtare.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/