Nëse Mbretëria e Bashkuar do të ketë një Familje Mbretërore në të ardhmen, kjo mbetet një temë debateje e vazhdueshme. Megjithatë, një zhvillim i fundit ka ofruar një pamje interesante se si mund të duken portretet e anëtarëve të Familjes Mbretërore në dekadat dhe shekujt që vijnë.
Një portret i titulluar “Mbreti i Algoritmeve” ka treguar një mundësi të re për artin mbretëror, duke ofruar një pamje të Mbretit Charles, i pikturuar nga një “artiste robot” femër e quajtur Ai-Da.
Piktura është krijuar nga roboti artistik Ai-Da, i cili përdor algoritme të avancuara dhe inteligjencë artificiale për të krijuar veprat e tij. Ajo përdori krahun e saj robotik për të krijuar portretin e Mbretit Charles dhe kamerat në sytë e saj për të ndihmuar në realizimin e krijimtarisë së saj, raporton Sky News.
Ai-Da më herët kishte pikturuar gjithashtu një portret të Mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II, duke shfaqur mundësinë që ky robot artistik të bëhet pjesë e traditës artistike mbretërore.
Piktorja robot, e përshkruar si “artisti robot ultrarealist” i parë në botë, është krijuar nga tregtari i artit Aidan Meller dhe është ndërtuar në Cornwall nga Engineered Arts. Ajo përdor modelim të avancuar të gjuhës së AI për t’u mundësuar zhvillimin e një bisede me njerëzit.
Në një fjalim gjatë një evenimenti të OKB-së, Ai-Da theksoi: “Është një privilegj të jem pjesë e këtij eventi të jashtëzakonshëm në Kombet e Bashkuara, i rrethuar nga ata që formësojnë të ardhmen e teknologjisë dhe kulturës. Prezantimi i portretit tim të Madhërisë së Tij, Mbretit Charles III, nuk është thjesht një akt krijues, është një deklaratë rreth rolit në zhvillim të AI në shoqërinë tonë dhe për të reflektuar mbi mënyrën se si AI po formëson peizazhin kulturor.”.
Veprat e Ai-Da janë ekspozuar në institucione prestigjioze si Tate Modern, V&A, Somerset House dhe Muzeu i Dizajnit në Britani, dhe gjithashtu në Piramidat e Egjiptit dhe Bienalin e Venedikut.
Në vitin 2024, Ai-Da bëri histori kur një nga pikturat e saj u shit në Sotheby’s për 1 milion dollarë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!