image Politologu gjerman: Pa ndërhyrjen e SHBA-së në Kosovë dhe Bosnje, tani do të kishte tre luftëra në Evropë

Politikë

Politologu gjerman: Pa ndërhyrjen e SHBA-së në Kosovë dhe Bosnje, tani do të kishte tre luftëra në Evropë

news image

Politika përkëdhelëse e BE-së ndaj Serbisë ka dështuar, vlerëson politologu gjerman në një analizë të fundit.

Alexander Rhotert, njohës i zhvillimeve në rajon, në një artikull të fundit për gazetën gjermane “Tageszeitung” mbi tensionet në Ballkanin Perëndimor, ka konsideruar se Bashkimi Evropian (BE) është duke e injoruar agresivitetin në rritje të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndaj fqinjëve rajonalë, posaçërisht ndaj Kosovës.

BE-ja nuk ka mësuar asgjë nga luftërat ballkanike, vlerëson Rhotert.

Ai shton se shtetet kryesore evropiane – Gjermania dhe Franca – injorojnë faktin se Serbia vazhdimisht kërcënon fqinjët, ndërkohë që forcon lidhjet e saj me Rusinë.

Rhotert ka përmendur ndërhyrjet e Shteteve të Bashkuara (SHBA) për të shmangur luftën në rajon.

“Megjithëse SHBA-ja është duke marrë veprime me gjysmë zemre kundër planeve të Serbisë së Madhe, pa ndërhyrjet në Kosovë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në tetor 2023 dhe Bosnje në gusht 2024 nga drejtori i inteligjencës amerikane (CIA), William Burns, ndoshta tani do të kishte tre luftëra në Evropë”.

Një skenar lufte, potencialisht i rrezikshëm, vazhdon të përmendet nga Serbia: Kosova.

Serbët që jetojnë atje pretendohet se shtypen. Kjo retorikë ishte përdorur në fund të viteve ’80-ta nga mentori i Vuçiqit, presidenti i atëhershëm jugosllav, Sllobodan Millosheviq, për të përgatitur popullsinë për agresion ndaj popujve të tjerë, kujton ai.

“Vuçiq ka sjellë përsëri në pushtet një numër ish-shokësh të Millosheviçit për të përfunduar projektin e atëhershëm të dështuar të Serbisë së Madhe… Nëse BE-ja nuk dëshiron të përjetojë një tjetër dështim, duhet të nxjerrë mësime nga politika e dështuar e tolerimit të Serbisë në vitet 1990”, konkludon politologu gjerman.

/GazetaSinjali/