image Poligoni i armëve ‘Reload’ cak i hajnave, avullojnë kasafortën me 25 mijë euro

Drejtësi

Poligoni i armëve ‘Reload’ cak i hajnave, avullojnë kasafortën me 25 mijë euro

news image

Vjedhjet në bizneset kosovare janë bërë një fenomen mjaft shqetësues që po sjellë humbje marramendëse. Hajnat nuk po tremben dhe po ia mësyjnë edhe objekteve të mëdha, ku po arrijnë të vjedhin shuma të majme parash.

Cak i hajnave të mërkurën ka qenë edhe objekti i i poligonit të gjuajtjes “Reload” në Graçanicë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se rasti është denoncuar nga njëri prej pronarëve të këtij biznesi, i cili ka raportuar vjedhjen e hiç më pak se 25 mijë eurove.

Rasti dyshohet të ketë ndodhur mëngjesin e së enjtes, ku i dyshuari apo të dyshuarit, që ende nuk janë identifikuar nga Policia, kanë depërtuar brenda objektit të adminstratës së poligonit, prej ku kanë “avulluar” kasafortën, në të cilën ndodheshin paratë.

Hajnat siç duket me plan të detajuar kanë arritur të kryejnë vjedhjen në katin e dytë të objektit të poligonit.

Posa rasti është denoncuar në Polici nga bashkëpronari i kompanisë, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku janë bërë ekzaminimet e nevojshme dhe janë siguruar prova që do të ndihmojnë në zbulimin e të dyshuarve.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”.

/GazetaSinjali/