Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja për rastin e rëndë që ndodhi mëngjesin e së premtes në Ferizaj, ku një 16-vjeçar dyshohet se sulmoi qytetarë me thikë dhe më pas plagosi edhe një zyrtar policor gjatë tentimit për arrestim.
Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 07:50 ishte pranuar informacioni se një person po sulmonte qytetarët me thikë në sheshin e qytetit. Pas daljes në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë konstatuan se një person kishte pësuar lëndime nga mjeti i mprehtë, ndërsa një tjetër ishte lënduar gjatë përpjekjes për t’u larguar nga i dyshuari.
Pas sulmit, i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Hetuesit rajonalë, me mbështetjen e njësive të tjera policore, nisën kërkimet për lokalizimin e tij. Ai u kërkua fillimisht në banesën e tij, ndërsa më pas u gjet në një adresë në fshatin Greme.
Policia ka bërë të ditur se gjatë tentimit për arrestim, 16-vjeçari refuzoi t’u bindet urdhrave të zyrtarëve policorë dhe reagoi dhunshëm.
“Me të arritur në vendngjarje, i dyshuari ka refuzuar t’u bindet urdhrave policorë, duke mbajtur një thikë në dorë, ka sulmuar zyrtarët policorë me gurë dhe mjete të forta, si dhe është vërsulur ndaj tyre me thikë. Gjatë ndërhyrjes, nëna e tij ka penguar zyrtarët policorë në kryerjen e detyrës zyrtare. Në një moment, i dyshuari ka marrë një shishe me benzinë dhe ia ka hedhur vetes mbi trup, duke vazhduar t’i kërcënojë policët me thikë dhe duke mos lejuar afrimin e tyre. Gjatë përpjekjeve për vënien e tij nën kontroll, tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime, ndërsa njëri prej tyre është goditur me thikë në pjesën e qafës”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Pas ndërhyrjes, i dyshuari me inicialet P.GJ., 16 vjeç, është vënë nën kontroll dhe është arrestuar. Bashkë me të është arrestuar edhe nëna e tij, D.GJ., 47 vjeçe, e cila dyshohet se pengoi zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës.
Policia ka sekuestruar edhe thikën, e cila dyshohet se është përdorur në sulmin ndaj qytetarëve dhe zyrtarit policor.
“Me vendim të prokurorit të shtetit i dyshuari është ndaluar për 24 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar”, thuhet në njoftim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!