Dy të rinj në Prizren më 2 janar planifikuan që ta vjedhin veturën e tyre që ishte sekuestruar nga Policia e Kosovës më 1 janar. Plani i tyre dështoi dhe vjedhja mbeti në tentativë, pasi ata u kapën nga Policia e Kosovës. Sinjali ka mësuar detaje se pse u sekuestrua kjo veturë dhe si ndodhi gjithë ngjarja në oborrin e stacionit policor Alfa të Policisë në Prizren.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se dy të dyshuarit hynë në stacionin policor për ta vjedhur veturën e tyre të tipit “Renault Clio”, me targa vendore. Kjo veturë siç mëson Sinjali ishte sekuestruar më 1 janar, për shmangie nga obligimet doganore.
Të rinjtë arritën deri te stacioni rreth orës 23:00, por posa Policia i ka vërejtur është vënë në lëvizje. Zyrtarët policorë njërin nga të dyshuarit kanë arritur ta kapin në vendin e ngjarjes, ndërsa i dyshuari i dytë ndonëse fillimisht arriti të ikë, u kap më pas në rrugën “Ibrahim Lutfiu”.
Për të mos mbaruar me kaq, njëri nga të dyshuarit gjatë arrestimit, dyshohet se ka sulmuar njërin nga zyrtarët policorë, i cili ka pësuar lëndime trupore.
Të dyshuarit janë të njohur për Policinë
Burimet e njëjta kanë bërë të ditur për Sinjalin se dy të dyshuarit janë të njohur për organet e rendit. Të njëjtit kanë dosje kriminale pikërisht për disa raste të vjedhjeve.
Të njëjtit tashmë ndodhen në ndalim prej 48 orësh, me vendim të prokurorit.