Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 23 shtetas pas tubimit të zhvilluar për të 18-tën ditë radhazi para Kryeministrisë, në lidhje me shkelje të dyshuara gjatë zhvillimit të protestës.
Sipas njoftimit zyrtar, pas verifikimeve të kryera nga strukturat e Policisë së Qarkut Tiranë, është konstatuar se disa nga pjesëmarrësit kanë organizuar dhe drejtuar tubuesit në mënyrë të paautorizuar, duke penguar qarkullimin e lirë të mjeteve në disa segmente rrugore të kryeqytetit, jashtë itinerarit të njoftuar paraprakisht.
Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin Nr. 3 kanë referuar materialet në Prokurori dhe kanë nisur procedimin penal për 23 persona, të cilët dyshohen për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” si dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Policia ka bërë të ditur se po vijon puna për identifikimin dhe procedimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në shkelje të ligjit gjatë protestës.
Ndërkohë, në një rast të veçantë, një qytetar ka kallëzuar në polici se është kanosur pas një debati të lidhur me publikimin e një videoje në rrjetet sociale gjatë protestës së 16 qershorit. Sipas kallëzimit, ai dhe bashkëshortja e tij ndihen të kërcënuar nga një tjetër shtetas i përfshirë në ngjarje.
Policia ka marrë deklarimet e palëve të përfshira dhe materialet e këtij rasti janë referuar gjithashtu në Prokurori për veprime të mëtejshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!