Përleshjet në lokale të ndryshme në qytetet e Kosovës, të cilat veprojnë edhe pas mesnate janë bërë mjaft të shpeshte. Këto raste jo rrallëherë eskalojnë edhe në sulme brutale e përdorim të mjeteve të forta e të mprehta, ku për pasojë nevojitet intervenimi i Policisë. Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë në një lokal në Gjakovë, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas sinjalizuesve të Sinjalit, rasti ka ndodhur në lokalin “Shekulli” në Çabrat dhe janë përfshirë gjashtë persona, 2 prej të cilëve tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor, si të dyshuar kryesorë. Për motive ende të panjohura, ata janë rrahur mes vete dhe për pasojë njëri prej tyre ka pësuar lëndime trupore.
Në bazë të informacioneve të para, në rast janë të përfshirë edhe dy vëllezër, ku njëri prej tyre ka marrë trajtim mjekësor në spital, për shkak të goditjeve.
Rastin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe zëdhënësi i Policisë Rajonale në Gjakovë, Sheremet Elezaj.
“Rreth orës 12:55, në rrugën “Martirët e Lirisë” ka ndodhur një rast i përleshjes, ku janë përfshirë 6 persona. Dy prej tyre me vendim të Prokurorit janë ndaluar dhe rasti është iniciuar “Lëndim i lehtë trupor”, tha Elezaj për Sinjalin.