Sot në media është raportuar se janë sulmuar me armë zjarri disa bjeshkatarë të grupit “Kosovo Mountain Club” nga serbët në Zubin Potok pranë kufirit me Serbinë.
Lidhur me këtë, Gazeta Sinjali ka kontaktuar me zëdhënësin e policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti. Ai ka mohur se sulmi ka qenë në drejtim të bjeshkatarëve.
Sipas Hotit, dikush ka mundur t’i frikësojë bjeshkatarët, porse të shtënat nuk kanë qenë në drejtim të tyre.
“Kanë qenë rreth 40 bjeshkatarë kah zona e Zubin Potokut, në zonat e banuara me popullat serbe, sipas zyrateve policor të shtënat nuk kanë qenë në drejtim të tyre. Dikush i ka parë ndoshta me qëllim të frikësimit, por nuk kanë qenë në drejtim të tyre”, ka thënë Hoti.
Tutje, Hoti ka bërë me dije se policia i ka takuar edhe bjeshkatarët e klubit “Kosovo Mountain Club”, por të njëjtit kanë refuzuar për të dhënë deklaratë për policinë, me pretekst se të njëjtit do të lajmërohen në Stacionin Policor në Prishtinë.
“Policia i ka takuar bjeshkatarët, i kanë spjegu policisë, mirëpo nuk kanë dashtë me shku në stacion policor me dhanë deklaratë me pretekst se do të lajmërohen në Prishtinë. Policia e ka kontrolluar terenin, por deri tsah nuk kemi ndonjë deklaratë të personave të tjerë”, ka thënë Hoti.
Tutje, Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe me përfaqësues të klubit “Kosovo Mountain Club”.
Njëra prej bjeshkatarëve që nuk ka dashtë të identifikohet ka thënë se ecja është duke vazhduar në majën e mprehtë në Mitrovicë dhe sipas saj, krejt grupi është mirë.
“Na e kemi ndaluar ecjen në male dhe jemi duke vazhdu në majën e mprehtë në Mitrovicë. Krejt grupi është në rregull dhe krejt mirë jemi”. /Gazeta Sinjali/