Policia e Kosovës ka kryer kontrolle në katër shkolla të mesme të Mitrovicës, me ç’rast tek nxënësit janë gjetur tre thika dhe dy boksa të hekurit.
Kontrolli është realizuar përmes urdhër- kontrollit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.
Ndërkaq, Policia ka njoftuar se qëllimi i këtij aksioni ka qenë parandalimi i bartjes dhe posedimit të mjeteve të rrezikshme dhe të kundërligjshme.
“Gjatë kontrollimit brenda hapësirave të shkollave, tek nxënësit në posedim janë gjetur dhe sekuestruar: tri (3) thika dhe dy (2) boksa hekuri”, shkruhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Në kuadër të veprimeve dhe masave parandaluese për ofrimin e sigurisë në shkolla, zyrtarë policor të Stacionit Policor Mitrovicë Jugu me datat 04.11.2024 dhe 05.11.2024, kanë zbatuar masa dhe kontrolle sigurie në shkolla.
Me qëllim të parandalimit të bartjes dhe posedimit të mjeteve të rrezikshme dhe të kundërligjshme janë zbatuar masa sigurie përmes urdhër- kontrollit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë me ç‘rast janë kontrolluar nxënësit e katër shkollave të mesme të larta në Mitrovicë. Gjatë kontrollit të ditës së sotme prezent ka qenë edhe një prokuror i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë i cili ka mbikëqyrur procesin e kontrollit.
Gjatë kontrollimit brenda hapësirave të shkollave, tek nxënësit në posedim janë gjetur dhe sekuestruar: tri (3) thika dhe dy (2) boksa hekuri.
Policia mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të ndërsjellë me autoritet e shkollave me qëllim të parandalimit të veprave penale, posedimit të mjeteve të kundërligjshme dhe ofrimin e sigurisë në shkolla.