image Policia konfirmon raportimin e Sinjalit për sulmin ndaj bashkëshortes së zv/ministrit të Arsimit

Siguri

Policia konfirmon raportimin e Sinjalit për sulmin ndaj bashkëshortes së zv/ministrit të Arsimit

news image

Gazeta Sinjali pak më parë ekskluzivisht raportoi për një rrahje që ka ndodhur sot rreth orës 14:30 në Fakultetin e Mjekësisë, ku një prind i një studenti dyshohet se ka rrahur profesoreshën e këtij fakulteti, Hatixhe Latifi Pupovci, e cila po ashtu është edhe bashkëshortja e zëvendësministrit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, shkruan Gazeta Sinjali.

Rastin e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë bërë të ditur se me të pranuar informatën, njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

“Sot rreth orës  14 :30, kemi marrë informatën se në Fakultetin e Mjekësisë, në Prishtinë,  një person është sulmuar fizikisht.  Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe bazuar në të dhënat e deritanishme në këtë rast, lëndime trupore ka pësuar një person ( femër)  , e cila është dërguar  për trajtimin e nevojshëm  mjekësor. Me rastin po merren njësitet përkatëse”, tha për Sinjalin zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ndryshe, burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se ngjarja e pazakontë në Fakultetin e Mjekësisë, për motiv kishte mosmarrëveshjen profesor – student, me ç’rast prindi i studentit, në shenjë pakënaqësie lidhur me ankesat e djalit të tij, dyshohet se ka grushtuar profesoreshën dhe e ka sulmuar me mjet të fortë (gotë qelqi).

Për rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar, i cili është në pritje të rezultatit preliminar të hetimit në mënyrë që të vendos për masën e sigurisë për personin e dyshuar.

Me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar si ‘Sulm ndaj personit zyrtar’.

Sinjali mëson se si pasojë e lëndimeve trupore dhe traumës së përjetuar, profesoreshës Pupovci fillimisht i është dhënë ndihma e parë mjekësore në vendin e ngjarjes, për t’u transferuar më pas në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sinjali do t’iu mbajë të informuar lidhur me detajet tjera.

/GazetaSinjali/