Sinjali ka mësuar identitetin e tre personave të arrestuar pas një rasti të rëndë dhune në familje, që përshkallëzoi në përleshje me Policinë dhe zbulimin e një arsenali armësh në një shtëpi në rrugën “Bahri Kuqi” në Vushtrri.
Të arrestuarit janë: Ylber Ademi, 30-vjeçar, Ylli Ademi, 24-vjeçar dhe Sheremet Ademi.
Tre të dyshuarit dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje, e cila më pas ka kërkuar ndihmën e Policisë.
Në momentin kur njësia policore ka ndërhyrë, të dyshuarit kanë reaguar dhunshëm dhe kanë sulmuar zyrtarët policorë, duke u shkaktuar lëndime trupore dy prej tyre – njëri prej të cilëve është dërguar në QKUK për trajtim të specializuar.
Me datës 16 Qershor 2025, rreth orës 22:00, policia në Vushtrri ishte informuar për një rast të dhunës në familje ku viktima kishte njoftuar se bashkëshorti dhe një familjar i tij kishin ushtruar dhunë fizike ndaj saj.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, dhe ka treguar për armët e konfiskuara.
“Pasi situata ishte vënë nën kontroll dhe tre personat e dyshuar ishin arrestuar, me urdhër të prokurorit kujdestar ishte kryer një kontroll në vendbanimin e të dyshuarve me ç`rast ishin gjetur një pushkë ajrore, një pushkë gjuetie, një pushkë M-48, një hark, një thikë dhe një sasi e konsiderueshme e municioneve të ndryshme dhe shigjeta të harkut. Armët dhe municioni janë konfiskuar dhe do të procedohen si prova materiale”.
Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe ndaj tyre janë iniciuar veprat penale: Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, Lëndim i lehtë trupor, Mbajtje, kontroll apo posedim i paautorizuar i armëve si dhe përdorim i mjetit të rrezikshëm.
Rasti është në hetim nga Njësia Rajonale e Hetimeve në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!